
Në vetëm 26 ditët e para të vitit 2025-së, janë regjistruar të paktën 4 atentate që kanë lënë pas 4 viktima nga veri në jug.
Atentate mafioze, hakmarrje, konflikte të çastit dhe njerëz që vrasin dhe qarkullojnë të armatosur, pa frikë ndaj shtetit dhe pasojave ligjore që mund të sjellin akte të tilla.
Në vetëm 26 ditët e para të vitit 2025-së, janë regjistruar të paktën 4 atentate mafioze që kanë lënë pas 4 viktima nga veri në jug. Një i rasti i pestë u regjistrua në Vlorë mbrëmjen e sotme, ku nga një breshëri plumbash, një 29-vjeçar mbeti i plagosur rëndë dhe ndodhet në spital në gjendje të rëndë.
Vetëm dy ditë më parë, një tjetër atentat, i dyshuar për hakmarrje, ndodhi në Kamzë ku një 48-vjeçar u vra brenda mjetit të tij, rrugës për në punë. Rastet e tjera si ai i vrasjes së biznesmenit Bujar Nasufi në Tiranë apo rasti i ekzekutimit të të riut Kristjan Marku në aksin Fier-Vlorë, pranë fshatit Novoselë, rrisin ndjeshëm ndjenjën e pasigurisë në vend, për shkak se atentate të tilla bëhen në ambiente të hapura dhe me shumë qarkullim, duke rrezikuar edhe jetët e të pafajshmëve.
Këto janë vetëm rastet e mëdha të cilat kanë kapin vëmendjen e mediave për shkak të natyrës së ekzekutimit dhe fataliteteve, por përtej këtyre rasteve ka ngjarje pafund në Shqipëri ku ndodhin plagosje me armë zjarri, për shkaqe nga më banalet.
Përtej çdo motivi, këto raste tregojnë që në shoqërinë tonë njerëz të caktuar nuk kanë frikë të qarkullojnë të armatosur, dhe që nuk i shqetësojnë as pasojat e përdorimit të tyre. Për të vërtetuar këtë, mjafotn të shohësh aksionet dhe kontrollet “Blic” që policia bën nëpër qytete të ndryshme në vend, gjithmonë ka të paktën 2-3 raste ku kapen persona në posedimin e armëve të zjarrit të cilët qarkullojnë të lirë.
Por përse ndodh kjo?
Në këtë rast ka disa shpjegime, së pari; me shumë gjasa rastet e shumta të bëra publike edhe në media, ku njerëz të akuzuar për vrasje, plagosje ose armëmbajtje pa leje, përballen me një sistem drejtësie të korruptuar dhe ia hedhin paq duke marrë dënime qesharake ose duke përdorur trike mjekësore për t’ia hedhur dënimit maksimal, kanë ndikuar në përhapjen e këtij fenomeni në shoqërinë tonë.
Së dyti; do të ishte reagimi shumë i dobët i policisë dhe “paaftësisë” së saj për të parandaluar dhe ashpërsuar kontrollet dhe mbajtur nën vëzhgim disa zona dhe persona problematikë. Megjithatë në të dyja rastet e sipërpërmendura, afërmendsh duket se problemi nisën që nga maja e hierarkisë. Për të mos përmendur këtu për raste dhe persona që kanë lidhje me pushtetin ose grupe kriminale me influencë, që janë të paprekshëm nga policia dhe drejtësia.
Jo për të përhapur panik ose për të sjell frikë te qytetarët por situata duket jashtë kontrollit. Në vitin që lamë pas janë regjistruar 42 ngjarje kriminale nga ku janë shënuar 57 viktima në total, mes tyre edhe qytetarë të pafajshëm të vrarë rastësisht si pasojë e përplasjeve mes grupeve kriminale. Për të mos përmendur këtu rastet e plagosjeve që nuk janë përfshirë në këtë total.
Për të mos përfunduar si në vitin e trishtë 1997, duhet që të merren masa urgjente për të parandaluar katastrofa më të mëdha, në të kundërtën e ardhmja mbetet e pasigurt./Pamfleti
Lini një Përgjigje