TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet15 Mars 2026, 20:05

Mbipopullimi i burgjeve, avokati: Gjykatat në një linjë me prokurorinë për izolimin në qeli

Shkruar nga Pamfleti

Mbipopullimi i burgjeve, avokati: Gjykatat në një linjë me

Niveli i personave në paraburgim në Shqipëri ka arritur shifra të larta krahasuar me vendet e Europës, duke sjellë si pasojë edhe mbipopullimin e burgjeve.

Avokati Rezart Kthupi deklaroi se një nga arsyet kryesore të kësaj situate lidhet me mënyrën se si funksionon sistemi gjyqësor, ku gjykatat shpesh ndjekin automatikisht kërkesat e prokurorisë për masa sigurie. Sipas tij, kjo praktikë është kthyer në një standard në shumë procese.

“Ajo që ndodh rëndom është që prokuroria kërkon arrest me burg dhe kjo është bërë standarde,” u shpreh Kthupi.

Ai theksoi se është detyrë e gjykatës të vlerësojë në mënyrë të pavarur kërkesën e prokurorisë, por në praktikë kjo nuk ndodh gjithmonë.

“Është gjykata që e vlerëson nëse kërkesa e prokurorisë është e saktë, por shpesh edhe për komoditet respekton prokurorinë. Kemi hyrë në një cikël", tha Kthupi.

Avokati ngriti shqetësimin se kjo situatë ka krijuar një model gjykimi ku pala e dobët në proces përballet me vështirësi për të kundërshtuar provat.

“Kemi arritur në një moment terrorizues, kur shkojmë në gjykim duke marrë parasysh që është krijuar ky model", theksoi Kthupi, duke shtuar se shpesh prokuroria nuk i demonstron plotësisht provat.

Ai u ndal edhe te roli i medias në raportimin e çështjeve gjyqësore. Sipas tij, publikimi i lajmeve për vendimet e gjykatave mund të krijojë presion publik.

“Media relaton një lajm dhe më pas thuhet se është dhënë dënim i ulët. Kjo krijon një perceptim të gabuar për drejtësinë", u shpreh ai.

Kthupi shtoi gjithashtu se edhe pse Gjykata e Lartë përpiqet të krijojë një praktikë të unifikuar në vendimmarrje, institucionet duhet të zbatojnë në mënyrë të qëndrueshme standardet që vendosin.

avokati burgje mbipopullim

Lini një Përgjigje