Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të presidentit serb Aleksander Vuçiç, i cili konfirmoi blerjen e raketave hipersonike kineze për avionët luftarakë të Serbisë, si kundërpërgjigje ndaj aleancës ushtarake mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë.
Në një reagim në rrjetet sociale, Bushati thekson se presidenti serb është rikthyer te ajo që ai e cilëson si “loja e vjetër me dy partitura”, ku një mesazh u drejtohet vendeve europiane dhe një tjetër përdoret për konsum të brendshëm politik.
Sipas Bushatit, kjo qasje ka kontribuar në ruajtjen e status quo-së në Ballkanin Perëndimor dhe ka penguar përparimin real të rajonit.
Ai kujton se deklaratat e Vuçiç vijnë vetëm pak ditë pasi presidenti serb dhe kryeministri i Shqipërisë publikuan një artikull të përbashkët në gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, ku flitej për mundësinë e një anëtarësimi “të nivelit të dytë” në Bashkimin Europian.
“Vetëm pak ditë pasi Presidenti i Serbisë dhe Kryeministri i Shqipërisë botuan një artikull të përbashkët në gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung rreth pranimit të një anëtarësimi ‘të nivelit të dytë’ në BE, presidenti serb është kthyer përsëri te loja e preferuar: paralajmërimi për narrativat e rreme dhe kinse kërcënimet për luftë nga aleanca ndërmjet Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë”, shprehet Bushati.
Ai shton se Ballkani Perëndimor ka nevojë për më shumë sundim të ligjit, bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik, dhe jo për retorikë të bazuar në frikë.
Në reagimin e tij, Bushati i bën apel edhe politikës shqiptare që të mos lërë prioritetet rajonale në plan të dytë. Sipas tij, energjitë politike po shpenzohen në debate që nuk lidhen drejtpërdrejt me interesat strategjike të vendit.
“Ndërkohë që politika shqiptare harxhon energji me rezoluta për shpalljen e Iranit si shtet që nxit terrorizmin, edhe pse Shqipëria ka ligj të mirëfilltë që parashikon instrumentet e nevojshëm që mund të vihen në zbatim në të tilla raste, është e domosdoshme që prioritetet tona në rajon të mos i lihen inercisë”, thekson Bushati.
Kujtojmë se, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, konfirmoi më 12 mars se Serbia ka blerë raketa balistike supersonike CM-400 nga Kina.
Lini një Përgjigje