Proceset gjyqësore vazhdojnë pa vendime për përgjegjësit kryesorë, ndërsa hetimi i SPAK për korrupsion dhe pastrim parash mbetet pa rezultat.
Tetëmbëdhjetë vite pas shpërthimit të 15 marsit 2008 në Gërdec, drejtësia për 26 viktimat dhe qindra të plagosurit nuk ka marrë ende një përgjigje përfundimtare. Asnjë person nuk është dënuar për vrasje, ndërsa hetimi i Prokurorisë së Posaçme për korrupsion dhe pastrim parash vazhdon pa përfundim.
Shpërthimi ndodhi mesditën e një të shtune në fshatin Gërdec, disa kilometra larg Tiranës. Vala e shpërthimit vrau 26 persona dhe plagosi rreth 300 të tjerë. Viktimat përfshinin banorë të zonës dhe punëtorë të fabrikës së demontimit të municioneve që operonte në fshat. Mes tyre kishte edhe të mitur që punonin në procesin e çmontimit të predhave.
Ngjarja lidhej me një aktivitet demontimi municionesh të zhvilluar në kushte primitive. Predha të kalibrit të madh shkarkoheshin nga mjetet ushtarake dhe çmontoheshin manualisht. Në ambientet e fabrikës grumbulloheshin sasi të mëdha baruti dhe municionesh të shpërndara pa masa sigurie. Punëtorët nuk kishin kontrata dhe punonin në të zezë.
Mes viktimave ishte edhe baxhanaku i kryeministrit të kohës, Sali Berisha. Në momentin kur lexoi listën e viktimave, ai e deformoi emrin e tij. Ky veprim synoi të shmangte lidhjen familjare dhe çdo dyshim që mund të çonte drejt tij ose djalit të tij, Shkëlzen Berisha.
Hetimet zbuluan disa elemente që lidhnin Shkëlzen Berishën me procesin e demontimit të municioneve. Dokumente të hetimit treguan se ai kishte vizituar shpesh Ministrinë e Mbrojtjes. Në një shkresë të ministrit të Drejtësisë së asaj kohe, Aldo Bumçi, që miratonte procedurat për demontimin e municioneve, ishte shënuar me dorë shënimi “për Shkëlzen Berishën”.
Tabulatet telefonike të përfshira në dosjen hetimore treguan gjithashtu komunikime telefonike pas shpërthimit. Ministri i Mbrojtjes në atë kohë, Fatmir Mediu, kishte zhvilluar disa telefonata me Shkëlzen Berishën. Ndërkohë Mihal Delijorgji, pronari në dokumente i kompanisë që kryente demontimin, telefonoi Shkëlzen Berishën rreth 30 minuta pas shpërthimit.
Megjithatë, Shkëlzen Berisha nuk u thirr asnjëherë për të dëshmuar gjatë hetimeve të zhvilluara pas ngjarjes. Fatmir Mediu nuk u gjykua në atë periudhë pasi rifitoi imunitetin parlamentar në zgjedhjet e vitit 2009.
Pas më shumë se një dekade, Prokuroria e Posaçme kërkoi rihapjen e procesit ndaj Mediut. Kjo kërkesë u mbështet edhe nga familja Durda, e cila humbi djalin e saj nga shpërthimi. Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Tiranë po shqyrton çështjen.
SPAK e akuzon ish-ministrin për shpërdorim detyre sipas Kodit Penal dhe Kodit Penal Ushtarak. Prokuroria nuk ka paraqitur akuza të reja dhe nuk ka zhvilluar hetime të reja përtej çështjes së mëparshme. Sipas SPAK, ndryshimet ligjore të viteve 2012 dhe 2017 heqin pengesën e imunitetit parlamentar për ndjekjen penale të deputetëve.
Në procesin gjyqësor janë thirrur dhjetëra dëshmitarë. Një pjesë e tyre kanë refuzuar të japin dëshmi. Në gjykatë është paraqitur edhe Shkëlzen Berisha, i cili ka mohuar çdo lidhje me ngjarjen. Edhe Fatmir Mediu ka deklaruar se procesi ka sfond politik.
Ish-drejtori i fabrikës së demontimit në Gërdec, Dritan Minxolli, ka përdorur të drejtën për të mos dëshmuar. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe ish-ushtarakë si Sokol Ngjeçi, Besnik Dauti dhe Dashnor Çaushi. Autoritetet po kërkojnë Anjola Agollin, ish-sekretaren e ministrit të Drejtësisë, për ta pyetur mbi faksin me shënimin “për Shkëlzen Berishën” që u dërgua nga Ministria e Drejtësisë drejt Ministrisë së Mbrojtjes.
Ish-ministri Aldo Bumçi ka mohuar se shënimi në faks është shkruar prej tij. Ndërkohë nuk është sqaruar ende se si do të procedohet me ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, dhe me përfaqësues të kompanisë amerikane SAC, të cilët kanë pasur njohuri për procesin e demontimit.
Tetëmbëdhjetë vite pas shpërthimit, asnjë person nuk ndodhet në burg për vrasjet e shkaktuara nga tragjedia. Në vitin 2012, katër vite pas ngjarjes, gjykata dënoi 28 persona për akuza të ndryshme, por jo për vrasje.
Dënimin më të lartë e mori Ylli Pinari, ish-drejtori i ndërmarrjes shtetërore të eksport-importit të armëve “Meico”, së bashku me Dritan Minxollin. Të dy u dënuan me nga 18 vite burg. Mihal Delijorgji u dënua me 10 vite burg. Prokuroria kishte kërkuar burgim të përjetshëm për ta.
Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, u dënua me 6 vite burg. Sokol Ngjeçi, zyrtar i “Meico”-s, mori gjithashtu 10 vite burg. Dy ish-gjeneralë u shpallën të pafajshëm, ndërsa të tjerë morën dënime më të lehta. Dashnor Çaushi u dënua me tre vite burg dhe Shpëtim Spahiu me katër vite, por me kusht.
Për disa funksionarë të Ministrisë së Mbrojtjes gjykata dha dënime nga një deri në tre vite burg. Në total, vendimi përfshinte 94 vite burgim, gjoba dhe shpalljen të pafajshëm të nëntë të pandehurve.
Familjarët e viktimave reaguan në sallën e gjyqit duke e kundërshtuar vendimin. Ata e konsideruan atë një vendim të papranueshëm. Një pjesë e të dënuarve përfituan ulje dënimi në Apel dhe nga përllogaritja e kohës së paraburgimit. Disa përfituan edhe ulje të mëvonshme për sjellje të mirë.
Paralelisht me procesin ndaj Mediut, SPAK ka hapur një hetim të ri për korrupsion të zyrtarëve të lartë dhe pastrim parash. Hetimi lidhet me procedurat e ndjekura nga Ministria e Mbrojtjes për shitjen e municioneve dy kompanive të huaja. Deri tani nuk ka persona të akuzuar dhe nuk ka informacion mbi ecurinë e hetimeve.
Pas 18 vitesh, tragjedia e Gërdecit mbetet një nga ngjarjet më të rënda të lidhura me korrupsionin në Shqipëri. Proceset gjyqësore dhe hetimet vazhdojnë, ndërsa përgjegjësit kryesorë për shpërthimin dhe pasojat e tij nuk kanë marrë ende një vendim përfundimtar nga drejtësia.
Lini një Përgjigje