
Mbi 30% e inspektorëve të IKMT-së janë pa arsimin përkatës, duke e kthyer këtë institucion në një hambar punësimesh për patronazhistët e partisë në pushtet. Ky është konstatimi i evidentuar në raportin e KLSH-së, i cili thekson se personat në fjalë janë emëruar në pozicione kyçe. Më tej, raporti nënvizon se në shumë raste nuk veprohet, sidomos në zonat bregdetare ku lulëzojnë ndërtimet e paligjshme, por edhe aty ku ato denoncohen nga institucione të tjera, IKMT nuk ndërhyn.
Më shumë se 30 përqind e inspektorëve ndërtimorë janë pa arsimin e duhur ose formimin bazë, thuhet në një raport auditimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit për Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, një institucion i konsideruar nga Partia Demokratike dhe shoqëria civile si një hambar punësimi për patronazhistët e Partisë Socialiste.
Gjatë periudhës 2022-2024, kryeinspektorët kanë emëruar në detyrë punonjës pa kualifikimin e duhur, si dhe kanë transferuar staf nga pozicione të tjera në inspektorat pa shkollimin e nevojshëm, në shkelje të ligjit.
Në praktikat e shumta administrative, KLSH-ja ka evidentuar emërimin në pozicione kyçe të individëve me shkollim për veterinari, përpunim druri, mësues gjeografie, politika agrare etj., pa asnjë lidhje me çështjet e ndërtimit.
Punësimi problematik është një prej shkeljeve serioze të evidentuara në funksionimin e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.
Audituesit e KLSH-së kanë konstatuar atë që e konsiderojnë si neglizhencë në evidentimin dhe prishjen e ndërtimeve pa leje, sidomos në zonat bregdetare.
Nga auditimi u konstatua se IKMT nuk është angazhuar për kryerjen e inspektimeve të nevojshme për të garantuar mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme në zona ose objekte me rëndësi kombëtare, pas sinjalizimeve të ardhura nga institucionet e tjera publike, si Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, Agjencia Kombëtare e Bregdetit / Agjencitë Rajonale të Bregdetit, administrata e zonave të mbrojtura etj.
Në raport thuhet se, për një sërë objektesh të konstatuara si ndërtim i kundërligjshëm dhe për të cilat janë nxjerrë vendime prishjeje, ekzekutimi i tyre vijon të mungojë nga Drejtoria e Zbatimeve të Vendimeve dhe Drejtoritë Rajonale të IKMT-së, pavarësisht se aktet administrative përkatëse janë në fuqi.
Kjo mospërmbushje e detyrimeve ligjore ka ndikuar në rritjen e ndërtimeve informale, të cilat më pas kalojnë në proces legalizimi, duke u përfshirë në skema përfitimi të parcelave ndërtimore në pronësi publike, shpesh në zona me potencial të lartë për zhvillimin e turizmit./Syri
Booo tmerr... kokës e gjetshin analfabetë dhe analfabetë funksionalë, makutëri e verbër der në palcë e habiten pastaj kur i gjen e keqja