
Anija Libra e nisur nga Brindizi me 40 emigrantë ka mbërritur në portin e Shëngjinit në Lezhë, ndërsa pas procedurave, emigrantët do të transferohen në qendrën e riatdhesimit në Gjadër.
Kjo është hera e 4 që nga Italia transferohen në Shqipëri emigrantë, por hera e parë që kur Qeveria Meloni miratoi dekretin duke kthyer qendrën e akomodimit të emigrantëve në një ‘paraburgim’ ku do të strehohen jo më emigrantët e kapur në det, por ata që i janë refuzuar kërkesat për azil.
Pra kampi i emigrantëve në Gjadër, bazuar në dekretin e Melonit, do të presë emigrantët e parregullt të pranishëm në qendrat e ndalimit të riatdhesimit (CPR).
Anija u nis sot në mëngjes nga porti i Pulias. Në bord ndodheshin shtetas të nacionaliteteve të ndryshme që ditët e fundit kanë mbërritur në CPR në Brindisi, në Restinco dhe për të cilët ekzekutivi ka urdhëruar transferimin në objektin në Shqipëri.
Përveç emigrantëve, në anije ndodheshin rreth 80 anëtarë të ekuipazhit.

Sipas dekretit të miratuar nga Këshilli i Ministrave - dhe aktualisht në Dhomë për procesin e konvertimit - objekti i Gjadrit mund të përdoret si CPR, pra një qendër ku dërgohen personat që kanë marrë një urdhër dëbimi dhe presin të riatdhesohen, pasi u është refuzuar kërkesa për azil.
Për të katërtën herë qeveria Meloni po tenton të transferojë emigrantët në anën tjetër të Adriatikut, shkruanin mediat italiane.
Sipas tyre, këtë herë nuk duhet të ketë surpriza të veçanta falë masës së miratuar nga Këshilli i Ministrave.
Ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi shpjegoi se dekreti lejonte “riaktivizimin e menjëhershëm” të qendrës në Gjadër.
“Struktura ekzistuese mund të përdoret edhe për personat e transferuar nga Italia”, tha ai.
Lini një Përgjigje