
Aktivisti për mbrojtjen e të drejtave të njeriut Altin Hazizaj ka folur lidhur me ardhjen e emigrantëve të parë në Shëngjin.
Hazizaj ka deklaruar se pothuajse 1/3 e emigrantëve të parregullt që hyjnë në Shqipëri, pjesa më e madhe nga kufiri jugor i Shqipërisë, janë të mitur të pashoqëruar.
Ai shton se këta fëmijë strehohen për 2-3 në një qendër në Tiranë dhe më pas zhduken. Teksa ngre pyetjen se ku shkojnë këta fëmijë, Hazizaj deklaron se fëmijët përdoren ose trafikohen.
“Ku përfundojnë këta të mitur që janë të pashoqëruar nga prindërit. Ata vijnë nga ajo që konsiderohet si rruga e gjelbër. Këta fëmijë strehohen për 2-3 në një qendër në Tiranë ku lahen, pastrohen, ushqehen dhe më pas zhduken. Ku shkojnë këta fëmijë? Ku përfundojnë ata? Trafikohen ose përdoren, mund të përdoren edhe për marrjen e organeve”, tha Hazizaj, duke u shprehur se bëhet fjalë për rreth 7 mijë fëmijë.
Në vijim ai u shpreh se ndoshta mundet që këta fëmijë të përgatiten edhe për akte terroriste.
Ndërsa, gazetari Mentor Kikia e ka konsideruar denoncimin e Hazizajt si një abuzim.
“Nuk mund të thuash që ky kontigjent fëmijësh u merren organe dhe përgatiten për terroristë, është abuzim, është i tepërt, pasi nuk ke asnjë fakt dhe provë”, tha Kikia për “News 24”.
Por Hazizaj u përgjigj duke thënë se ne kemi një katrahurë lidhur me këta fëmijë, pasi ata qëndrojnë në qendra për 24 ose 48 orë pranë kufirit dhe nga ana tjetër është e detyrueshme që të shoqërohen nga dy punonjës, një nga policia dhe një nga mbrojtja e fëmijëve.
Lini një Përgjigje