Prokurorisë së Posaçme i janë bashkuar edhe 3 emra, duke e çuar në 20 numrin e prokurorëve që do të hetojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Ditën e sotme Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) përzgjodhi prokurorët Ols Dado, Anita Jella dhe Ndini Tavani mes 8 emrave që garonin për për t’ju bashkuar Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Por kush janë tre prokurorët e përzgjedhur ditën e sotme nga KLP për të qenë pjesë e SPAK?
OLSI DADO
Olsi Dado ka punuar në sektorin privat dhe si noter, përpara se të emërohej prokuror në Prokurorinë e Pogradecit në vitin 2008. Në vitin 2010 ai u transferua në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ndërsa prej vitit 2020 është komanduar në Prokurorinë e Përgjishme si ndihmës-magjistrat.
Prokurori Ols Dado u përball pa telashe me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK më 1 nëntor 2022, kur gjatë seancës dëgjimore nuk u relatuan gjetje për të cilat i ishte kaluar barrë prove në asnjë prej kritereve të rivlerësimit. Dado falënderoi Komisionin, duke e cilësuar hetimin të thelluar dhe objektiv dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. Pra përballja e tij me vettingun kaloi pa probleme.
ANITA JELLA
Anita Jella ka qenë deri më tani drejtuese e Prokurorisë së Durrësit. Edhe ajo ka kaluar me sukses në të dy “filtrat” e vetingut.
Jella u konfirmua në detyrë nga shkalla e parë e vetingut, KPK, në dhjetor të vitit 2019, por vëzhguesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM, i kërkuan Komisionerit Publik që të apelojë çështjen me arsyetimin se ajo duhej të shkarkohej për mangësi në deklarimin e pasurisë dhe probleme të profesionalizmit.
Mësohet se ankimimi i Komisionerit bazohej mbi veprimet dhe mosveprimet e Jellës në çështjen ndaj Liridon Pulës, drejtues i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Durrës dhe në ato për një gjyqtare të Gjykatës së Apelit Tiranë, që ishte trasferuar për kompetencë në Durrës.
Gjatë seancave dëgjimore, prokurorja Anita Jella paraqiti shpjegimet e saj lidhur me 7 denoncime nga publiku të depozituara pasi çështja e saj kaloi në KPA. Kështu Kolegji i Posaçëm i Apelimit e rikonfirmoi në detyrë në 15 shkurt të vitit 2022.
NDINI TAVANI
Ndini Tavani, mësohet se ka qenë deri më tani prokuror i Prokurorisë së Tiranës.
Ndini Tavani ka përfunduar studimet për drejtësi dhe ka ushtruar profesionin e avokatit në vitet 2003-2004. Më pas, ai ka vazhduar studimet në Shkollën e Magjistraturës dhe pas vitit 2007 ka ushtruar funksionin e prokurorit në Durrës, Vlorë dhe Tiranë.
Më herët ai u shkarkua nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK).
KPK, vendosi me shumicë votash të shkarkojë Tavanin më 11 tetor 2019, pasi sipas dy anëtarëve të Komisionit u evidentuan hetime të paplota dhe probleme për pasurinë.
Por ky vendim u rrëzua me pas nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA), i cili vendosi unanimisht të rikthejë në detyrë prokurorin Ndini Tavani.
Lini një Përgjigje