Shkrimtarja Lea Ypi ka emocionuar me rrëfimin për humbjen e gjyshes së saj dhe amanetin që ajo i la përpara se të ndërronte jetë.
Ypi tregoi se gjyshja i kishte kërkuar që ajo të thoshte disa fjalë në varrimin e saj.
Në atë periudhë, shkrimtarja ndodhej në Itali dhe kujton se gjatë kthimit me avion për në Shqipëri përpiqej të gjente fjalët e duhura për të përmbushur dëshirën e gjyshes.
Mes emocinesh, Lea Ypi tha se ende e ruan letrën me fjalimin e asaj dite.
Sipas shkrimtares, vetëm pas përfundimit të librit “Të poshtëruar”, ndjeu se arriti t’a thoshte vërtet atë fjalim që nuk kishte mundur ta shprehte plotësisht përpara arkivolit.
“Para se të ndahej nga jeta, gjyshja ishte goxha e sëmurë. Im atë, që ishte djalë i vetëm kishte ndërruar jetë para saj dhe ajo më thoshte gjithmonë: Shiko, kur unë të vdes, dua që ti të thuash dy fjalë në varrimin tim. Në atë periudhë unë ndodhesha në Itali. Mbaj mend që, kur po kthehesha me avion, kisha në mendje këtë amanet të gjyshes dhe mundohesha të gjeja fjalët. Në fakt, nuk e besoja dot, ishte një shok aq i madh dhe një dhimbje aq e madhe, saqë e kisha shumë të vështirë të procesoja gjithë atë që kishte ndodhur. Ishte një ndarje e papritur.
Akoma e kam letrën me fjalët që kam thënë në varrim, por mbaj mend që, pasi i thashë, mendova se ato nuk ishin tamam fjalët e mia. Mu dukën si fjalë të diktuara nga dikush tjetër, si formula konvencionale që duhen thënë në raste të tilla.
Mendoj se vetëm pasi mbarova librin “Të poshtëruar'”, mu duk sikur aty arrita vërtet të mbaja atë fjalim që nuk u tha dot plotësisht në ato një apo dy minuta përballë arkivolit. Në fakt, ky libër ishte ai fjalimi i vërtetë, dhe për këtë libër u deshën pesë vjet për t’u shkruar”, tha Lea Ypi në Qou Vadis S.
Lini një Përgjigje