Situata në Gjirokastër paraqitet kritike nga moti i keq. Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut ka dalë nga shtrati përroi i Ficos duke marrë përpara gjithçka. Ndërkohë, mësohet se janë përmbytur rrugët në lagjen Varrosh. Situata nuk duket të përmirësohet deri ditën e enjte.
Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM) ka paralajmëruar për reshje intensive dhe rrezik real për përmbytje dhe rrëshqitje dherash në disa qarqe të vendit. Sipas njoftimit të publikuar në rrjetet sociale, sot dhe nesër pritet intensifikim i reshjeve në veri dhe jug, duke rritur ndjeshëm prurjet në lumenjtë kryesorë dhe duke rrezikuar zonat urbane me përmbytje të lokalizuara.
Sipas IGJEUM, qarqet më të prekura do të jenë: Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër. Në këto zona parashikohet rrezik për vërshime të shpejta të lumenjve malorë dhe për rrëshqitje dherash, sidomos në zonat me terren të pjerrët dhe të pambrojtur. Reshjet e dendura, të shoqëruara me shtrëngata, do të prekin pjesën më të madhe të territorit deri në ditën e enjte. Në zona urbane, përmbytjet do të varen nga gjendja e kanalizimeve, që sipas eksperiencës së viteve të fundit mbetet problematike.
Lini një Përgjigje