TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 6 Janar 2026, 16:38

Zona e ish-Kënetës në Durrës e gjitha nën ujë, banorët: Na kanë lënë në mëshirë të fatit

Shkruar nga Pamfleti
Zona e ish-Kënetës në Durrës e gjitha nën ujë,
Një banor duke lëvizur me gomone në zonën e ish-Kënetës

Banorët e zonës së Kënetës në Durrës janë përballur sot me përmbytje të konsiderueshme si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, duke përshkruar një situatë të rëndë dhe problematike për jetesën e përditshme.

Duke folur për News24 dhe gazetarin Osman Stafa, banorët thanë se uji ka pushtuar banesat, oborret dhe rrugët, ndërsa lëvizja është bërë pothuajse e pamundur. Sipas tyre, niveli i ujit në disa shtëpi ka kaluar një metër.

Situata sot ka qenë shumë e vështirë. Ka pasur shumë shi dhe nevojiten zjarrfikëse me pompa për të larguar ujin nga oborret. Nuk kemi çuar fëmijët në kopsht,” u shpreh një banor.

Një tjetër banor tha se përmbytjet kanë nisur që në orët e para të mëngjesit dhe se ndërhyrjet e deritanishme nuk kanë dhënë rezultat. “Nuk dimë çfarë të bëjmë, kërkojmë ndërhyrje nga shteti. Kanë ardhur përfaqësues të bashkisë, por gjendja mbetet e njëjtë. Jemi përpjekur ta ndalim ujin me thasë,” tha ai.

Një banor tjetër përshkroi dëmet e mëdha të shkaktuara nga përmbytjet. “Mbi një metër ujë ka nëpër shtëpi. Më është përmbytur banesa dhe rruga nuk kalohet as me makinë. Asnjë nuk ka ardhur të ndihmojë. Sot jam i detyruar të qëndroj jashtë shtëpisë sime. Janë përmbytur familje dhe biznese,” deklaroi ai.

Një prej banorëve ka arritur të lëvizë në lagjen e tij vetëm përmes një gomoneje të vogël, duke dëshmuar nga mesi i ujit gjendjen e rëndë në zonë. “Situata është katastrofë, nuk ka më keq. Është një rast i rrallë. Pa këtë gomone nuk dal dot, kemi fëmijë të vegjël dhe dëme të mëdha materiale në shtëpi,” u shpreh ai.

Banori tregoi se gomonen e kishte blerë për fëmijën e tij për përdorim në det, por nuk e kishte menduar kurrë se do t’i duhej ta përdorte brenda lagjes. “Ndryshe nuk dalim dot. Kemi frikë nga rryma elektrike, dritat kanë ikur e kanë ardhur disa herë. Askush nuk ka ardhur të interesohet për çfarë po ndodh. Nuk kemi dalë dot as për të parë gjendjen përreth”, tha ai.

Zona e Kënetës konsiderohet një nga zonat më problematike të Durrësit sa herë ka reshje intensive. Banorët u bëjnë thirrje autoriteteve lokale dhe qendrore për ndërhyrje të menjëhershme, pasi situata vijon të mbetet e vështirë.

Lini një Përgjigje