TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 6 Janar 2026, 17:07

IGJEUM paralajmëron përkeqësim të situatës nga përmbytjet, ja 8 zonat më problematike

Shkruar nga Pamfleti
IGJEUM paralajmëron përkeqësim të situatës nga
Përmbytjet në Durrës

Shqipëria po përballet me një situatë të rënduar atmosferike, ku Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM) ka paralajmëruar për reshje intensive dhe rrezik real për përmbytje dhe rrëshqitje dherash në disa qarqe të vendit. Sipas njoftimit të publikuar në rrjetet sociale, sot dhe nesër pritet intensifikim i reshjeve në veri dhe jug, duke rritur ndjeshëm prurjet në lumenjtë kryesorë dhe duke rrezikuar zonat urbane me përmbytje të lokalizuara.

Sipas IGJEUM, qarqet më të prekura do të jenë: Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër. Në këto zona parashikohet rrezik për vërshime të shpejta të lumenjve malorë dhe për rrëshqitje dherash, sidomos në zonat me terren të pjerrët dhe të pambrojtur. Reshjet e dendura, të shoqëruara me shtrëngata, do të prekin pjesën më të madhe të territorit deri në ditën e enjte. Në zona urbane, përmbytjet do të varen nga gjendja e kanalizimeve, që sipas eksperiencës së viteve të fundit mbetet problematike.

IGJEUM veçon veçanërisht zonën e Shkodrës dhe Lezhës, ku priten reshje intensive dhe rritje kritike të niveleve në Drin-Bunë dhe Liqenin e Shkodrës. Prurjet e larta janë të pritshme edhe në lumin Mat, Shkumbin dhe Vjosë. Në jug, sidomos në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër, reshjet parashikohen të jenë "lokalisht shumë intensive", duke rritur rrezikun për përmbytje dhe izolim të zonave rurale.

Në zonat malore të Veriut, Lindjes dhe Juglindjes, mbi kuotën 1000 metra mbi nivelin e detit, reshjet do të shndërrohen në dëborë, duke shtuar vështirësitë në qarkullimin rrugor. Ndërkohë, era pritet të fryjë mesatare deri e fortë në zonat bregdetare, duke shtuar rrezikun për dëmtime infrastrukture dhe valë të larta në det.

Temperaturat për ditën e nesërme pritet të variojnë:

Në bregdet: 9 / 16 °C

Në zonat e ulëta: 9 / 16 °C

Në zonat malore: 3 / 12 °C

Autoritetet lokale dhe strukturat e emergjencës janë vënë në gatishmëri, por deri tani nuk ka një plan të detajuar të bërë publik për evakuime apo masa parandaluese. IGJEUM apelon për kujdes të shtuar, sidomos në zonat pranë lumenjve dhe në rrugët e rrezikuara nga rrëshqitjet e dherave. Qytetarët këshillohen të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme gjatë orëve me intensitet maksimal reshjesh.

permbytje igjeum skandali në durrës

Lini një Përgjigje