Monika Kryemadhi ka kundërshtuar në GJKKO dosjen në ngarkim të saj dhe ish-bashkëshortit Ilir Meta, duke pretenduar se hetimi është bazuar në thashetheme dhe jo në prova konkrete.
Gjatë seancës, Kryemadhi deklaroi se mbrojtja nuk ka mundur të hapë USB-në me provat e këqyrjes së celularit, pasi sipas saj fjalëkalimi rezulton i gabuar.
“Nuk na hapet USB-ja me provat e këqyrjes së celularit. Është e vërtetë që e kam marrë, e kam USB-në, e kam shkarkuar dhe kopjuar. Problemi është se passëord-i del i gabuar. Kemi marrë edhe laptopin dhe USB-në që t’ua tregojmë. Eksperti izraelit, i cili është paguar 10 mijë USD për ta këqyrur, ose të na japë passëord-in”, tha Kryemadhi.
Ajo ngriti pretendime edhe për mungesën e materialeve që lidhen me përgjimet ambientale, duke thënë se në dosje nuk ndodhen as vendimet dhe as produktet e tyre.
“Për 20 përgjimet ambientale nuk ka asgjë në dosje. Janë mbi 20 vendime përgjimi dhe nuk kemi as vendimet, as produktin e tyre. Janë të rëndësishme, sepse janë marrë pjesë të shkëputura dhe të nxjerra nga konteksti. Shumica e provave janë thashetheme dhe dosja nuk mund të bazohet në to, por në prova konkrete”, u shpreh ajo.
Kryemadhi theksoi se për figura publike si ajo dhe Ilir Meta, ndikimi në opinionin publik është shumë i rëndësishëm. Ajo kërkoi më shumë transparencë për procesin, duke sugjeruar që qytetarët të kenë mundësi ta ndjekin atë.
“Për njerëz si puna jonë, opinioni publik është më i rëndësishëm se gjykimi juaj. Ne nuk jemi njerëz të zakonshëm, por figura publike. Për një person që u tërhoq zvarrë në Zvërnec u ngrit i gjithë opinioni publik, ndërsa Presidenti u rrëmbye nga pesë policë, nga të cilët dy janë arrestuar, dhe nuk ndodhi asgjë.
Duke qenë se ka kamera, do të ishte mirë që edhe qytetarët ta dëgjonin këtë proces dhe të rritej besimi i publikut. Unë nuk mund të pranoj që pseudogazetarë të marrin informacione nga SPAK-u dhe t’i përdorin ato për të na linçuar”, deklaroi Kryemadhi.
Po pra nxire vet konkluzionin pse u ngriten per ate te Zvernecit dhe JO te " Hygeas"????