TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet20 Prill 2025, 07:07

Krishti u ngjall! Besimtarët katolikë dhe ortodoksë kremtojnë sot Pashkën

Shkruar nga Pamfleti

Krishti u ngjall! Besimtarët katolikë dhe ortodoksë

Pavarësisht riteve të ndryshme fetare, kjo ditë e shenjtë bashkon komunitetin e krishterë në lutje dhe reflektim...

Besimtarët e krishterë katolikë dhe ortodoksë kremtojnë sot Pashkën, një nga festat më të rëndësishme të kalendarit fetar, që simbolizon ringjalljen e Jezu Krishtit.

Meshat solemne u mbajtën në dy nga kishat më të rëndësishme të kryeqytetit. Në Katedralen Katolike “Shën Pali”, ceremonia e shenjtë u zhvillua në prani të një numri të madh besimtarësh, të cilët morën pjesë në lutje dhe kremtim me devotshmëri të lartë.

Mesha u drejtua nga përfaqësues të lartë të Kishës Katolike, të cilët përcollën mesazhe paqeje, dashurie dhe shprese për të gjithë besimtarët dhe shoqërinë shqiptare.

Në lutjen e tij përpara besimtarëve, Imzot Arjan Dodaj përcolli një mesazh për paqe dhe mbrojtje nga lufta. "O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amëshuar, na mbro! Kështu që kisha të shohë atë që kemi besuar. Bëj më të mirën për ne, Zoti ynë. Ti ngre atë që ka rënë poshtë dhe ti mbron atë që është në luftë. Amen!", tha ai. 

Ndërkohë, edhe në Katedralen Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, atmosfera ishte po aq madhështore. Besimtarët ortodoksë u mblodhën për të ndjekur meshën e Pashkës, e cila u zhvillua në një ambient solemn e shpirtëror. Klerikët ortodoksë rikujtuan mesazhin thelbësor të Pashkës – ringjalljen, si një ftesë për jetë të re dhe shpresë të re.

Mesha u drejtua nga Krypeshkopi Joan, i cili dha mesazh shprese. Besimtarët ortodoksë, sipas traditës, marin dritën pas përfundimit të meshës.

"Në këtë ditë të shenjtë, të gjithë jemi të ftuar të marrim pjesë në këtë gëzim. Kemi sigurinë se dashuria e Tij është më e fortë se urrejtja dhe se shpresa jonë në Krishtin është më e fortë se dëshpërimi. Ata që shpresojnë te Zoti do të ripërtërijnë forcën e tyre. Nëse do të ndizet drita e ngjalljes, edhe marrëdhëniet mes njerëzve do të ndriçohen. Sakrificat janë të domosdoshme për shërimin tonë shpirtëror.

Ndoshta sot më shumë se kurrë, bota jonë ka nevojë për mesazhin e Pashkës. Ngjallja e Krishtit na premton një të ardhme të ndryshme. Ai na ka bërë pjesëtarë të ngjalljes së Tij. Sakrifica, ashtu si bekimi, nuk janë të lehta, por janë të domosdoshme”, tha Kryepeshkopi Joan.

Pavarësisht riteve të ndryshme fetare, kjo ditë e shenjtë bashkon komunitetin e krishterë në lutje dhe reflektim, duke përçuar një mesazh uniteti dhe dashurie mes njerëzve.

Lini një Përgjigje