
Pas investimit të madh që BE-ja dhe SHBA-ja kanë bërë në Strukturën e Posaçme, ata kanë vendosur në monitorim KLP-në, e cila ka në dorë zgjedhjen e zëvëndësuesit të Altin Dumanit...
Teksa nesër pritet që të zgjidhet kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Ndërkombëtarët do të zbarkojnë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për të monitoruar me vëmendje këtë proces. Ambasada e BE-së në Tiranë theksoi se ambasadori Gonzato do të jetë i pranishëm së bashku me përfaqësuesit ambasadave të vendeve anëtare të BE-së.
Ndërkohë që vetë Gonzato, dërgoi një mesazh të qartë gjatë takimit të përbashkët mes Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ai kërkoi që procesi të jetë i pastër dhe pa ndikime, si dhe theksoi se personi i zgjedhur duhet të jetë dikush me integritet të lartë dhe figurë të pastër.
EU Ambassador Silvio Gonzato addressed today’s joint meeting between the High Judicial Council and the High Prosecutorial Council, where they discussed ways to increase judicial efficiency, quality, and integrity. He highlighted two issues that remain central to the judiciary:… pic.twitter.com/neZSWqUy64
— EU in Albania (@EUinAlbania) December 10, 2025
“Gonzato shprehu besimin se anëtarët e KLP-së do të tregojnë nivelin më të lartë të përgjegjshmërisë dhe do të sigurojnë që Prokuroria e Posaçme të drejtohet nga një person me integritet të padiskutueshëm, i pavarur, profesionist dhe i përkushtuar ndaj standardeve më të mira të BE-së”, thuhet në njoftimin e BE-së.
Zgjedhja e kreut të ri mund të quhet ‘thembra e Akilit’ sa i takon mbijetesën së vetë SPAK-ut. Nëse në krye të këtij institucioni zgjidhet një figurë e dyshimtë, ose e ndikuar nga politika, kjo do të sillte fundin e SPAK. Për këtë arsye, pas investimit të madh që vendet e BE-së dhe SHBA-ja kanë bërë në Strukturën e Posaçme, ata kanë vendosur në monitorim KLP-në, e cila ka në dorë zgjedhjen e zëvëndësuesit të Altin Dumanit, teksa i kanë vënë ‘kushte’ lidhur me identikitin e kreut të ri të SPAK.
Nga ana tjetër edhe Ambasada Britanike reagoi gjithashtu për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK, teksa e quajti atë një hap të rëndësishëm për forcimin e shtetit të së drejtës. Britania gjithashtu kërkoi transparencë në proces.
"Zgjedhja e Drejtuesit të SPAK është një hap i rëndësishëm në përparimin e Shqipërisë për forcimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit. Është e rëndësishme që Këshilli i Lartë i Prokurorisë ta realizojë këtë proces në mënyrë të lirë, të drejtë dhe transparente. Mbretëria e Bashkuar pret me padurim të bashkëpunojë me këdo që do të zgjidhet, për të vazhduar dhe forcuar marrëdhënien tonë të shkëlqyer", thuhet në njoftimin e Ambasadës Britanike.
Vlen të theksohet se pavarësisht se nuk ka një Ambasador amerikan në Tiranë, përfaqësues të lartë të Ambasadës së SHBA-së do të jenë gjithashtu prezent gjatë zgjedhjes së kreut të ri të SPAK.
Kujtojmë se drejtuesit aktual, Altin Dumani, i mbaron mandati trevjeçar më 18 dhjetor. Ndërkohë që në garë janë Klodian Braho, Doloreza Musabelliu, Adnan Xholi dhe Elvin Gokaj. Njëri prej tyre do të zgjidhet nesër si kreu i ri i SPAK-ut.
Vetem Adnan Xholi nuk eshte i Rames! Only Adnan Xholi is not of Rama.