TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet10 Dhjetor 2025, 13:15

“Presioni mbi magjistratët ka arritur limitet”, Sadushi: Shteti nuk mund të sigurojë drejtësi me standarde europiane

Shkruar nga Pamfleti
“Presioni mbi magjistratët ka arritur limitet”, Sadushi: Shteti
Anëtarët e Gjykatës së Lartë

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, theksoi se një dimension thelbësor që ka munguar prej vitesh është mirëqenia profesionale dhe psikosociale e magjistratëve.

Sadushi u shpreh se, megjithëse sistemi i drejtësisë përballet me sfida të shumta strukturore, “nuk mund të ketë drejtësi të fortë me magjistratë të lodhur dhe të pambrojtur”, duke nënvizuar se mirëqenia e gjyqtarëve dhe prokurorëve është një kusht thelbësor për pavarësinë e drejtësisë, sipas standardeve evropiane.

Gjatë fjalës së tij në Konferencën Kombëtare për kapacitetet institucionale, karrierën dhe masat mbrojtëse në sistemin e drejtësisë, Sadushi tha se sfidat strukturore dhe presioni profesional kanë arritur një nivel ku rrezikohet cilësia dhe pavarësia e vendimmarrjes.

“Pikërisht në këtë klimë sfiduese, ku presioni mbi individin arriti kufijtë e tij të durimit profesional, erdhi reagimi i natyrshëm: Deklarata e Gjyqtarëve të Republikës. Për herë të parë pas shumë vitesh, gjyqtarët folën me një zë të përbashkët. Ata nuk kërkuan privilegje dhe as trajtim të veçantë; kërkuan siguri, mbështetje, dinjitet profesional dhe respekt institucional. Ishte një akt përgjegjshmërie, por edhe një sinjal alarmi: “Sistemi po mbijeton falë nesh, por kështu nuk mund të vazhdojë.” Kjo deklaratë shënoi një pikë kthese, sepse dëshmoi se struktura nuk mund të mbështetet më mbi sakrificën individuale të magjistratit”, tha Sadushi.

Ai kritikoi mungesën e politikave shtetërore që lidhen me sigurinë, menaxhimin e ngarkesës, mbështetjen psikosociale dhe infrastrukturën e gjykatave.

“Shteti nuk mund të kërkojë drejtësi me standarde europiane pa investuar. Kuvendi dhe Qeveria mbajnë detyrimin kushtetues për të siguruar bazën ligjore, financiare dhe infrastrukturore të sistemit. Investimet në siguri, infrastrukturë, burime njerëzore dhe teknologji nuk janë zgjedhje politike, por detyrim shtetëror. Vetëm një dialog funksional midis këshillave dhe dy pushteteve të tjera mund të shndërrojë rekomandimet në politika konkrete dhe rezultate të prekshme. Pa këtë bashkëpunim, çdo reformë rrezikon të mbetet një aspiratë e mirë, por jo një realitet i ndjeshëm për qytetarët dhe magjistratët vetë”, përfundoi Sadushi.

sadushi presion mbi magjistratet drejtesi me standarte europiane

Lini një Përgjigje