TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet19 Maj 2026, 21:19

Krerët e SPAK në Sarajevë, fokus te lufta kundër korrupsionit dhe bashkëpunimi rajonal

Shkruar nga Pamfleti
Krerët e SPAK në Sarajevë, fokus te lufta kundër
Foto nga aktiviteti

Braho dhe Mara pjesë e Forumit të Kryeprokurorëve të Ballkanit Perëndimor, prezantohet udhëzuesi i ri për ekipet e përbashkëta hetimore

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Klodjan Braho, dhe drejtuesi i Seksionit Kundër Korrupsionit, Vladimir Mara, morën pjesë në Forumin e Tretë Konsultativ të Kryeprokurorëve të Ballkanit Perëndimor, i zhvilluar në Sarajevë të Bosnjë-Hercegovinës.

Takimi u organizua nga Projekti për Drejtësinë Penale në Ballkanin Perëndimor në bashkëpunim me Prokurorinë e Bosnjë-Hercegovinës dhe mblodhi drejtues të prokurorive speciale dhe të përgjithshme nga gjashtë vendet e rajonit.

Në fokus të diskutimeve ishte forcimi i bashkëpunimit rajonal në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe koordinimi më i ngushtë me Eurojust dhe partnerët europianë për hetimet ndërkufitare.

Pjesëmarrësit diskutuan mbi shkëmbimin e informacionit, koordinimin operacional dhe përdorimin e instrumenteve të avancuara të bashkëpunimit gjyqësor, sidomos në rastet që përfshijnë disa shtete.

Presidenti i Eurojust, Michael Schmid, deklaroi se gjatë katër viteve të fundit janë mbështetur 88 hetime ndërkufitare, përfshirë 23 Ekipe të Përbashkëta Hetimore (JIT), me pjesëmarrjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor, shteteve të Bashkimit Europian dhe vendeve të tjera partnere.

“Në këtë periudhë kemi ndërtuar partneritete të besueshme me autoritetet gjyqësore të Ballkanit Perëndimor dhe kemi parë progres të rëndësishëm në bashkëpunimin operacional”, u shpreh Schmid.

Gjatë forumit u prezantua edhe Udhëzuesi i ri Praktik për Ekipet e Përbashkëta Hetimore (JITs), i hartuar posaçërisht për prokurorët dhe autoritetet ligjzbatuese të rajonit.

Dokumenti ofron udhëzime praktike mbi funksionimin e JIT-ve, avantazhet e tyre dhe mbështetjen që mund të marrin autoritetet gjatë ngritjes dhe operimit të këtyre ekipeve hetimore.

Udhëzuesi është publikuar në disa gjuhë të rajonit, përfshirë edhe shqipen.

Forumi në Sarajevë u konsiderua një tjetër hap drejt forcimit të bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe institucioneve europiane në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

braho spak

Lini një Përgjigje