
Gazetari Artan Hoxha ka folur lidhur me situatën në burgje, duke deklaruar se bosët e drogës vijojnë të ushtrojnë ndikim dhe kontroll edhe pas hekurave.
I ftuar në "A2 CNN", Hoxha tha se problemi nuk lidhet vetëm me infrastrukturën e burgjeve, por me mungesën e kontrollit efektiv dhe nivelin e stafit brenda institucioneve penitenciare.
“Nëse ti aty ke bosë droge që kanë lëvizur me tonelata kokainë dhe që kanë sasi të konsiderueshme parash, me gardianë që paguhen me rroga qesharake, sigurinë e burgut nuk e ruan trashësia e murit, por niveli i stafit që ke brenda”, deklaroi ai.
Gazetari tregoi edhe një episod që sipas tij dëshmon fuqinë që disa të dënuar kanë brenda burgjeve, duke pohuar se përdorimi i celularëve apo komunikimet me video nuk janë raste të rralla.
“Që të fusësh një celular brenda, është tarifë fikse 2 mijë euro në muaj, sepse në burgje ka aparatura bllokuese të valëve, por ndodh e kundërta”, u shpreh Hoxha.
Gazetari shtoi se disa të dënuar arrijnë të komunikojnë hapur edhe gjatë transmetimeve televizive.
“Ai të del edhe nga burgu, edhe të merr me kamera atje, ta bën të qartë, ndërsa je në emision live”, tha Hoxha.
Sipas Hoxhës, brenda burgjeve ekziston një tjetër hierarki, ku autoritetet shpesh detyrohen të gjejnë forma bashkëjetese me personat me ndikim për të shmangur tensionet dhe konfliktet.
“Brenda burgjeve ka një botë tjetër, një nivel tjetër hierarkie. Shpesh herë autoritetet janë të detyruar të bëjnë një lloj pakti ose marrëveshjeje me ta, t’u ofrojnë disa lehtësira që ata të mbajnë pak rregull atje brenda”, deklaroi ai.
Hoxha paralajmëroi për vështirësitë që krijohen nëse autoritetet përballen drejtpërdrejt me grupet kriminale brenda institucioneve penitenciare.
“Po hyre në konflikt në një burg me 800 të dënuar, i ke hapur punë vetes”, u shpreh gazetari.
Lini një Përgjigje