TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet19 Maj 2026, 19:00

Afera me inceneratorin e Elbasanit, Gjykata e Lartë lë në fuqi dënimet për Kokën, Bllakon, Zoton dhe Mërtirin

Shkruar nga Pamfleti
Afera me inceneratorin e Elbasanit, Gjykata e Lartë lë në fuqi
Lefter Koka

Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Apelit të Posaçëm për dosjen e inceneratorit të Elbasanit, duke mos pranuar rekursin e të dënuarve dhe duke vulosur përfundimisht një prej aferave më të mëdha korruptive të viteve të fundit.

Vendimi prek drejtpërdrejt ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka, i cili tashmë përballet sërish me rikthimin në qeli, pas zhvillimeve të fundit edhe në dosjen e inceneratorit të Tiranës.

Sipas vendimit të formës së prerë, Lefter Koka mbetet i dënuar me 10 vite burg, që me gjykim të shkurtuar reduktohet në 6 vite e 8 muaj burgim. Ndërkohë ish-deputeti Alqi Bllako u dënua përfundimisht me 4 vite burg, ose 2 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar.

Po ashtu në fuqi mbetën edhe dënimet për Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin, të cilët u dënuan me nga 10 vite burg secili, që reduktohen në 6 vite e 8 muaj. Stela Gugallja u dënua me 7 vite burg, ndërsa Pëllumb Abeshi dhe Jonida Zeqo me nga 4 vite heqje lirie.

Vendimi i Gjykatës së Lartë vjen vetëm pak ditë pasi Apeli i GJKKO vendosi rikthimin në burg të Lefter Kokës edhe për dosjen e inceneratorit të Tiranës.

Më 14 maj, Apeli ndryshoi pjesërisht vendimin e shkallës së parë dhe urdhëroi që ish-ministri të rikthehet në qeli për të vuajtur edhe 6 muaj burg, pasi rrëzoi vendimin që i kishte shuar masën e sigurisë.

Koka ishte liruar nga burgu në dhjetor të vitit 2025, pasi Gjykata e Posaçme argumentoi se kishte përfunduar afati maksimal 3-vjeçar i paraburgimit për dosjen e inceneratorit të Fierit. Por zhvillimet e fundit në dy dosjet e tjera duket se i kanë mbyllur sërish derën e lirisë ish-ministrit socialist.

Dosja e inceneratorëve konsiderohet një nga skandalet më të mëdha financiare dhe politike në vend, ku SPAK akuzon ish-zyrtarë të lartë dhe biznesmenë për korrupsion, pastrim parash dhe shpërdorim detyre në kontratat multimilionëshe të menaxhimit të mbetjeve.

lefter koka incenerator

Lini një Përgjigje