Avokati i Popullit ka kërkuar mbylljen e Burgut të Burrelit, Kosovës në Lushnjë, Kukësit, “Mine Peza” dhe godinës A të IEVP “Jordan Misja” 313, duke evidentuar problematika serioze në këto institucione penitenciare.
Sipas raportit, në këto burgje janë konstatuar ambiente të amortizuara, mungesë hapësirash, lagështirë, ajrim dhe ndriçim i pamjaftueshëm, si edhe kushte higjieno-sanitare të papërshtatshme.
Lidhur me këtë raport reagoi avokati Edmond Petraj. Ai e ka cilësuar situatën si një alarm serioz që kërkon reagim të menjëhershëm nga shteti.
“Ky është një raport që vë në alarm shtetin, i cili duhet të veprojë”, deklaroi Petraj për "Report Tv".
Sipas tij, problematikat më të mëdha në burgjet e përmendura lidhen me mbipopullimin dhe kushtet higjieno-sanitare, që sipas avokatit shkelin standardet minimale.
Duke u ndalur te IEVP “Jordan Misja”, Petraj tha se situata ka njohur përmirësime pas rikonstruksioneve të kryera.
“Nëse flasim për te Jordan Misja, ai është një burg i sigurisë së lartë, por atje ka ndryshime. Ka qenë shumë herë më keq, por është bërë rikonstruksion”, u shpreh ai.
Ndërsa për burgun “Mine Peza”, avokati paralajmëroi për rrezikun që mund të sjellë mbipopullimi.
“Mine Peza është një burg që duhet riparë, pasi kemi mbipopullime, kemi personazhe që janë në atë institucion dhe në një moment mund të kemi edhe ngjarje të pakëndshme”, tha Petraj.
Ai shtoi se edhe burgjet e Kukësit dhe Kosovës në Lushnjë kanë nevojë për ndërhyrje dhe rikonstruksion.
“Burgu i Kukësit sërish duhet riparë, pasi është një burg i vjetër. Edhe burgu i Kosovës në Lushnjë duhet riparë”, deklaroi avokati.
Lini një Përgjigje