
Presidenti Begaj caktoi datën 4 gusht, për zhvillimin e zgjedhjeve të reja në Bashkinë Himarë.
Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar datën për zhvillimin e zgjedhjeve të reja për kryetarë bashkie në Himarë. Pas heqjes nga KQZ-ja të mandatit të Fredi Belerit, presidenti Begaj caktoi datën 4 gusht, për zhvillimin e zgjedhjeve të reja në Bashkinë Himarë.
Pak minuta më parë, Begaj ftoi kreun e KQZ-së në presidencë për të diskutuar rreth datës së zgjedhjeve dhe gatishmërisë së KQZ-së për organiozimin e tyre. Në njoftimin e presidencës thuhet se datë 4 gusht është zgjedhur edhe për t'iu lënë kohë mjaftueshëm kandidatëve për të bërë fushatë.
Kujtojmë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i hoqi sot Fredi Belerit mandatin e kryetarit të Bashkisë së Himarës, të cilin nuk e ushtroi asnjë ditë. I dënuar me 2 vite për korrupsion zgjedhor nga Apeli i GJKKO, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi shpalli pavlefshmërinë e mandatit.
Pa humbur kohë, Kryeministria i dërgoi letër presidentit Bajram Begaj, ku i kërkoi që të caktojë menjëherë datën e zgjedhjeve të pjesshme për Himarën.
Gjithashtu sjellim në kujtesë se Fredi Beleri u arrestua në flagrancë teksa bënte pazare për votat vetëm 2 ditë para zgjedhjeve vendore të 41 majit të 2023. Ai i fitoi zgjedhjet nga burgu me një diferencë të lehtë votash, më pak se 20 vota, por për shkak të arrestit nuk mundi të ulej asnjë ditë në karrigen e kryebashkiakut dhe as të bënte betimin. Mandatin vijoi ta mbante kryebashkiaku në detyrë Jorgo Goro deri më 23 mars, kur po ashtu u arrestua me urdhër të SPAK pas një kallëzimi që Fredi Beleri kishte bërë për të për pronat në Himarë. Më pas detyrën e drejtimit të bashkisë e mori përkohësisht Blerina Bala ndërsa aktualisht Himara drejtohet nga nënkryetari i Bashkisë Arqile Bollano.
Njoftimi i Presidencës:
Tiranë, më 5 korrik 2024/ Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj dekreton zgjedhjet për kryetar bashkie në bashkinë Himarë.
Sot, Këshilli i Ministrave njoftoi zyrtarisht Presidentin e Republikës për vakancën e krijuar në bashkinë Himarë për shkak të konstatimit të pavlefshmërisë së mandatit të fituar nga z. Dhionisios (Alfred) Petro Beleri dhe kërkoi caktimin e datës së zgjedhjeve, brenda afateve që përcakton Kodi Zgjedhor.
Kryetari i zgjedhur i bashkisë Himarë është gjendur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në kushtet e pavlefshmërisë së mandatit, për shkak të dënimit me vendim të formës së prerë për veprën penale të “korrupsionit aktiv në zgjedhje”, të parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z.Bajram Begaj thirri në konsultë z. Ilirjan Celibashi, Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve për t’u informuar lidhur me kapacitetet dhe gadishmërinë e institucionit menaxhues të zgjedhjeve, për zhvillimin e zgjedhjeve në këtë bashki, brenda kornizës kalendarike të Kodit Zgjedhor.
Pas kësaj konsulte, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z.Bajram Begaj dekretoi datën 4 gusht 2024 për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetar bashkie në bashkinë Himarë, si alternativa më e mirë që pajton nevojën për përgatitjen dhe zhvillimin e një fushate të rregullt zgjedhore dhe nevojën për përgatitjen optimale të administratës zgjedhore, me kushtet, rrethanat dhe ngarkesën që sjell sezoni turistik për bashkinë Himarë, si njësi bregdetare e qeverisjes vendore.
Lini një Përgjigje