
Pasi shpërdoroi miliona euro në 6 landfille, Edi Rama krijoi agjencinë AKEM për të lejuar legalisht ndotjen masive të territorit, ndërsa Mirela Kumbaro nënshkruan pazare me ndërtuesit për të hedhur mbetjet ku të duan…
Evadimi dhe trajtimi i mbetjeve inerte në 6 landfillet kryesore të vendit; Tiranë, Elbasan, Fier, Durrës, Vlorë dhe Bushat, si dhe në qendrat periferike të grumbullimit nëpër rrethe, ka rezultuar një dështim i plotë, pavarësisht miliona eurove që paguhen çdo vit nga taksat publike.
Për të fshehur këtë dështim dhe për të justifikuar kaosin, më shumë se një vit më parë, me Vendim Nr. 132, datë 6 mars 2024, kryeministri Edi Rama krijoi një skemë paralele, duke legalizuar hedhjen e mbetjeve inerte jashtë landfilleve të licencuara.
Sipas këtij vendimi, u lejua depozitimi i mbetjeve inerte në zona të mbrojtura, përgjatë bregdetit, në rrugët rurale, buzë lumenjve, pranë zonave të banuara, praktikisht, kudo ku mund të hidhen.
Për këtë qëllim u krijua Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve (AKEM), me 57 punonjës, në vartësi të Ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.
Kjo agjenci u ngrit pavarësisht se ekziston tashmë një tjetër strukturë me kompetenca të njëjta, Agjencia Kombëtare e Ujërave dhe Mjedisit (AKUM), në vartësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Pas krijimit të AKEM-it, bashkitë u përjashtuan nga kompetencat mbi mbetjet inerte dhe raportuan në qeveri se në territoret e tyre janë formuar 240 kodra dhe sheshe të mëdha me mbetje ndërtimi, të cilat po shtohen çdo ditë, të hedhura nga firma ndërtimi dhe operatorë të tjerë të paligjshëm.
Ministrja Mirela Kumbaro, megjithëse e ngarkuar me përgjegjësi të drejtpërdrejta për monitorimin e mbetjeve inerte, nuk ka ndërmarrë asnjë masë. Situata dëshmon ose paaftësinë e saj për të përballuar ndotjen, ose ekzistencën e një skeme korruptive ku tolerohen ndërtuesit në këmbim të ryshfetit.
Sipas vendimit të qeverisë, AKEM financohet me fonde të veçanta nga buxheti i shtetit dhe ka për detyrë të bashkëpunojë me bashkitë, policinë dhe institucionet e tjera për monitorimin dhe ndalimin e hedhjes së mbetjeve. Në praktikë, kjo agjenci ka zgjedhur të heshtë dhe të simulojë një situatë normale, kur në fakt Shqipëria po mbytet nga mbetjet.
Pas përshkallëzimit të ndotjes dhe dështimit total me landfillet dhe qendrat legale të depozitimit, qeveria nxori një tjetër vendim – Nr. 338, datë 19 qershor 2025, i cili, në vend që të ndalonte katastrofën, i jep autorizim Ministres Kumbaro të lidhë kontrata me ndërtuesit për hedhjen e mbetjeve kudo që ata të dëshirojnë, kundrejt një takse minimale. Madje, kjo lejohet të paraqitet si "ruajtje për përdorim të mëvonshëm".
Pra, krijimi i Agjencisë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve nuk kishte për qëllim zgjidhjen e problemit, por ishte një skemë për të punësuar klientë të partisë me paga mbi 1300 euro dhe për të shtuar hapësirat për pazare të ministers. Mirela Kumbaro e ka shndërruar këtë agjenci në një instrument për të kontrolluar jo vetëm ndërtuesit, por edhe parqet natyrore, lumenjtë dhe plazhet, gjithmonë në funksion të interesave klienteliste dhe jo të mbrojtjes së mjedisit./Pamfleti
Lini një Përgjigje