Deputeti demokrat i Qarkut të Fierit, Saimir Korreshi, ka publikuar të tjera pamje skandaloze, nga spitali i Lushnjes, për të cilin prej ditësh po i kërkon Ministrisë së Shëndetësisë që të ndërhyjë, pasi çdo ditë rrezikohet të humben jetë njerëzish.
Më konkretisht, ditën e sotme, Korreshi ka publikuar pamje nga Qendra e Gjakut, ku shfaqet një godinë tërësisht e amortizuar, me kushte të mjerueshme, ndërsa atje marrin gjak të sëmurët me talasemi.
“Këtu jemi te Banka e Gjakut, një nga repartet më të rëndësishme. Shikoje pak këtë lagështinë! E kuptoni se si është situata këtu. E shikoni ça thotë aty; Qendra Rajonale. Të sëmurët me talasemi janë të shumtë në Lushnjë. Ata detyrohen çdo 3 muaj që të udhëtojnë drejt Tiranës për të dalë në komision për ilaçet. Le që këtu nuk ka gjak, por shiko si ka vajtur bari. A të hanë minjtë këtu?! Kjo është situata e Bankës së Gjakut!”, thotë Korreshi.
Më herët deputeti demokrat ka publikuar pamje edhe nga repartet e tjera të Spitalit të Lushnjes, ndërsa një fjalim i tij në Kuvend lidhur me gjendjen ku ndodhet shëndetësia shqiptare u bë viral në rrjetet sociale, teksa evidentoheshin një seri problematikash që nga mosfunksionimi i urgjencave dhe deri në mungesën e kushteve të domosdoshme në spitale.
Lini një Përgjigje