TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet27 Maj 2026, 20:48

Paralajmëron Shemsi Prençi: Durim Bami mund të tronditë politikën nëse bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë

Shkruar nga Pamfleti
Paralajmëron Shemsi Prençi: Durim Bami mund të tronditë
Shemsi Prençi & Në rreth Durim Bami

Ish-drejtuesi i Policisë: Bami di shumë për lidhjet mes grupeve kriminale, deputetëve dhe politikës

Eksperti i sigurisë dhe ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit, Shemsi Prençi, deklaroi në podcastin “Të Pashoq” se Durim Bami mund të kthehet në një nga bashkëpunëtorët më të rëndësishëm të drejtësisë në Shqipëri, për shkak të dijenive që sipas tij ka për lidhjet mes politikës dhe botës së krimit.

Prençi tha se Bami është një personazh kyç në shumë episode të rëndësishme kriminale të viteve të fundit dhe se dëshmia e tij mund të prodhojë tronditje të forta politike.

Durim Bami është një personazh shumë i çuditshëm. Është akuzuar nga kundërshtarë se ka ngritur prita për atentate, se ka organizuar grupe vrasësish me pagesë dhe se ka bashkëpunuar me grupe kriminale të Durrësit dhe Fushë-Krujës për eliminimin e personazheve të botës së krimit. Ai di shumë. Ka biseduar dhe ka pasur takime me personazhe të politikës. Bashkëpunimi i Durim Bamit do të ishte një thesar i madh për drejtësinë shqiptare dhe sidomos për SPAK-un”, deklaroi Prençi.

Sipas tij, rëndësia e Bamit nuk lidhet vetëm me botën e krimit, por me kontaktet dhe lidhjet që ai dyshohet se ka pasur me eksponentë politikë.

Durim Bami mund të dijë shumë gjëra për lidhjet mes politikës dhe krimit. Është akuzuar dikur se mund të ishte përdorur për eliminimin e një deputeti. Ka lidhje me figura politike dhe me grupe kriminale afër politikës. Kjo është arsyeja pse them që është një thesar për drejtësinë”, u shpreh ish-drejtuesi i Policisë.

Prençi tha se Shqipëria rrezikohet seriozisht kur grupet kriminale bashkëpunojnë me politikën dhe institucionet shtetërore.

Grupet kriminale kanë ekzistuar gjithmonë, por bëhen shumë të rrezikshme kur bashkëpunojnë me deputetë, ministra apo segmente të policisë. Atëherë qytetari nuk di më ku të kërkojë ndihmë, sepse policia mund të jetë vetë pjesë e krimit dhe deputeti që duhet të të ndihmojë mund të jetë pjesë e organizimit të vrasjes. Kjo është gjëja më e rëndë për një shoqëri”, deklaroi ai.

Prençi kujtoi edhe efektin që sollën dekriptimet e SKY ECC dhe EncroChat në Shqipëri, ku sipas tij dolën në dritë lidhje të forta mes krimit dhe institucioneve.

Shqiptarët u tronditën kur panë nga dekriptimet e SKY dhe EncroChat se drejtues policie dhe prokurorë bashkëpunonin me grupe kriminale për të goditur grupe të tjera. Tani imagjinoni çfarë ndodh nëse del që edhe deputetë apo ministra janë përfshirë në organizime kriminale. Kjo do të ishte tronditje shumë më e madhe”, tha Prençi.

Megjithatë, ai u shpreh skeptik se Durim Bami do ta ketë të lehtë të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë.

Nuk është e lehtë që Durim Bami të bëhet bashkëpunëtor. Ai nuk është një personazh i thjeshtë dhe nuk është në kushtet ku ka qenë dikur Dumani. Por nëse SPAK-u arrin ta bindë të bashkëpunojë, atëherë mund të kemi zhvillime shumë të forta për politikën dhe krimin në Shqipëri”, deklaroi Prençi në podcastin “Të Pashoq”.

 

bami prenci

Lini një Përgjigje