Ish-drejtuesi i Policisë: Italianët dhe spanjollët e etiketonin Tiranën si qendër të pastrimit të produkteve të veprës penale
Ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit, Shemsi Prençi, komentoi në podcastin “Të Pashoq” operacionin e fundit të SPAK-ut, autoriteteve italiane dhe spanjolle kundër një grupi kriminal të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave, duke deklaruar se Shqipëria prej vitesh konsiderohet nga institucionet ndërkombëtare si “lavatriçe” e parave të krimit.
Sipas Prençit, raportet ndërkombëtare prej kohësh e kanë evidentuar Shqipërinë si një nga qendrat ku pastrohen paratë e trafikut ndërkombëtar të drogës.
“Ka shumë kohë që shumë raporte të institucioneve ndërkombëtare, sidomos atyre evropiane, e trajtojnë Shqipërinë, për fat të keq, si lavatriçe të parave të botës së krimit. Të veprimtarisë së paligjshme, kryesisht të aktivitetit të trafikut ndërkombëtar të drogës. Madje, për fat të keq, implikojnë edhe segmente të qeverisjes shqiptare, të cilët favorizojnë këto organizata kriminale, me leje ndërtimi, qoftë në Tiranë, qoftë në bregdet. Madje në këtë operacion, italianët dhe spanjollët e etiketonin Tiranën si qendra e pastrimit të produkteve të veprës penale”, deklaroi Prençi.
Ai vlerësoi bashkëpunimin mes SPAK-ut, Policisë së Shtetit dhe agjencive ndërkombëtare si Europol dhe Eurojust, ndërsa tha se vitet e fundit kishte pasur mungesë besimi ndaj institucioneve shqiptare.
“Shpreh mirënjohje dhe respekt për të gjitha agjencitë që janë të angazhuara në këtë sipërmarrje të luftës kundër krimit. Qoftë Europolin, Eurojustin, Guardia di Finanza-n dhe autoritetet spanjolle. Për një periudhë kohe, për hir të së vërtetës, për shkak të lidershipit të implikuar në disa probleme, qenë distancuar në kuadrin e bashkëpunimit. Ndërsa me ardhjen në krye të Policisë të Skënder Hitajt është rritur besueshmëria dhe kjo duhet thënë”, u shpreh ai.
Prençi ngriti shqetësimin edhe për rrjedhjen e informacionit në operacionet kundër krimit, duke theksuar se shumë persona arrijnë t’i shpëtojnë arrestimit.
“Operacionet janë të mëdha, por problemi është se masat e arrestit nuk ekzekutohen të gjitha. Një pjesë largohen, një pjesë njoftohen. Kjo tregon se ruajtja e sekretit operacional mbetet sfidë. Nëse kapen vetëm anëtarët periferikë dhe drejtuesit e grupeve kriminale mbeten të lirë, atëherë grupi kriminal nuk është eliminuar. Ata vazhdojnë ta drejtojnë aktivitetin kriminal dhe pastrimin e parave edhe për vite me radhë”, deklaroi ish-drejtuesi i Policisë.
Sipas Prençit, Policia e Shtetit prej vitesh nuk ka qenë në gjendje të drejtojë vetë operacione të mëdha parandaluese kundër krimit të organizuar.
“Policia e Shtetit ka vite që nuk drejton operacione vetë, duke iu paraprirë goditjeve me procedime parandaluese. Parandalimi është detyrë parësore e Policisë së Shtetit. SPAK-u bën hetim penal për ngjarje konkrete, por parandalimin duhet ta bëjë policia. Kjo tregon se kemi ende probleme serioze në funksionimin e strukturave të sigurisë dhe luftës kundër krimit”, tha Prençi në podcastin “Të Pashoq”.
Lini një Përgjigje