TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet27 Maj 2026, 18:30

Trafiku i fishekëve në Gërdec, rishfaqet Efraim Diveroli: Fitonim deri në 2 milionë dollarë në javë (Video)

Shkruar nga Pamfleti
Trafiku i fishekëve në Gërdec, rishfaqet Efraim Diveroli: Fitonim
Shkëlzen Berisha -Diveroli- Mediu

Diveroli tregon fitimet e majme, ndërsa SPAK vijon të mbajë ende peng dosjen e trafikut të fishekëve në Gërdec, aty ku del dhe djali i ish-kryeministrit Berisha...

Efraim Diveroli, një prej personazheve kryesorë në aferën me municionet në Gërdec, është shfaqur sërish në publik përmes një interviste në rrjetet sociale.

Trafikanti amerikan i armëve, historia e të cilit u kthye më vonë në filmin hollivudian “War Dogs”, pranon në intervistë se personazhi i interpretuar nga aktori Jonah Hill është bazuar tek ai.

A e ke parë ‘War Dogs’? Ai jam unë”, thotë Diveroli në nisje të bisedës.

Diveroli drejtonte kompaninë “AEY Inc.”, e cila fitoi një kontratë prej 298 milionë dollarësh nga Pentagoni për furnizimin e ushtrisë afgane me municione. Hetimet zbuluan se municionet kineze, të ndaluara nga embargo amerikane, ripaketoheshin në Shqipëri përmes skemave që lidhen me fabrikën e demontimit në Gërdec.

Shpërthimi i 15 marsit 2008 në këtë fabrikë shkaktoi 26 viktima, qindra të plagosur dhe shkatërrimin e dhjetëra banesave, në atë që konsiderohet një nga tragjeditë më të rënda në vend.

Në përgjimet e publikuara pas ngjarjes, Diveroli përmendte ish-kryeministrin Sali Berisha dhe djalin e tij, Shkëlzen Berisha, duke pretenduar se ata kishin dijeni dhe ndikim në aferë.

Kjo gjë ka shkuar shumë lart, deri te Kryeministri dhe djali i tij… kjo mafia është shumë e fortë për mua”, shprehej ai në një prej bisedave me biznesmenin Kosta Trebicka.

Më pas, ashtu si disa personazhe të tjerë të përfshirë në dosje, edhe Diveroli u tërhoq nga deklaratat, duke pretenduar se kishte gënjyer. Sali Berisha dhe Shkëlzen Berisha i kanë mohuar vazhdimisht akuzat.

Në intervistën e fundit, Diveroli flet për milionat që qarkullonin në biznesin e armëve.

Në një moment fitonim 2 milionë dollarë në javë”, deklaron ai, ndërsa shton se filmi “War Dogs” e portretizoi gabim si “një mashtrues”..

Ai pranon gjithashtu se kreu katër vite burg në SHBA për aferën, ndërsa sot thotë se drejton një kompani investimesh financiare.

Ndërkohë SPAK vijon të mbajë ende peng dosjen e trafikut të fishekëve në Gërdec, aty ku del dhe djali i ish-kryeministrit Berisha. Ajo u ndal nga dosja e Mediut, por ka mbetur në sirtar prej vitesh.

Intervista

Gazetari: Çfarë bën për të jetuar?

Efraim Diveroli: A e ke parë “War Dogs”?

Gazetari: Po, sigurisht.

Efraim Diveroli: Ai jam unë.

Gazetari: Kush?

Efraim Diveroli: Jonah Hill më luan mua.

Gazetari: Vërtet?

Efraim Diveroli: Po.

Gazetari: Si e ke emrin?

Efraim Diveroli: Efraim Diveroli.

Gazetari: Uau. “War Dogs” është në fakt një nga filmat e mi të preferuar. A të bezdis nëse të bëj disa pyetje për filmin? Për çfarë është e saktë dhe çfarë jo?

Efraim Diveroli: Vazhdo.

Gazetari: Çfarë mendon se kanë bërë saktë? Dhe ku mendon se gabuan?

Efraim Diveroli: Historia u tregua nga këndvështrimi i një personi me të cilin pata një prishje marrëdhëniesh, fatkeqësisht. Prandaj nuk mendoj se ishte një karakterizim i saktë. Sigurisht që gjithçka u ekzagjerua dhe ndodhën shumë gjëra të çmendura. Më portretizuan si një tip mashtrues, si dikush që kishte vetëm një hile. Por në realitet, unë kam bërë 150 kontrata me qeverinë. U auditova për gjashtë muaj para se të merrja atë kontratë.

Gazetari: Meqë ra fjala, a e padite “War Dogs”?

Efraim Diveroli: Po.

Gazetari: Sa para fitove nga kjo?

Efraim Diveroli: Nuk mund ta zbuloj shumën, por ishte një shumë e konsiderueshme.

Gazetari: Në atë kohë, ti ishe trafikanti më i ri i armëve në histori, apo jo?

Efraim Diveroli: Gjoja.

Gazetari: Sa para fitove duke bërë atë punë?

Efraim Diveroli: Në një moment po fitonim 2 milionë dollarë në javë.

Gazetari: Çfarë të frymëzoi në atë biznes? Dhe çfarë pe ti që të tjerët nuk e panë?

Efraim Diveroli: Ishte një mundësi unike. Nuk kishte shumë njerëz në atë lojë në atë kohë, si të thuash.

Gazetari: Sepse kur isha 21 vjeç, gjithçka që më interesonte ishte basketbolli dhe të ndiqja vajzat. Kur ti ishe 21 vjeç, çfarë të shtyu të doje të bëheshe tregtar armësh?

Efraim Diveroli: Edhe unë bëja pak qejf. Xhaxhai im kishte diçka si dyqan armësh. Mua më pëlqenin shumë armët dhe kjo më tërhoqi. U lidha pas asaj bote. Dhe isha i zoti në atë që bëja.

Gazetari: Dhe më pas, fatkeqësisht, përfundove për pak kohë në burg për shkak të kësaj, apo jo?

Efraim Diveroli: Katër vite. Mendoj se gjithë ai miti për “club fed” dhe gjëra të tilla është komplet budallallëk.

Gazetari: Çfarë po bën tani? Dhe cili është hapi tjetër për ty?

Efraim Diveroli: “The Diveroli Investments Group”. Është kompania ime familjare e investimeve. Investojmë shumë në treg, veçanërisht në kompani më të vogla. Marrim edhe role të tipit aktivist në investime.

Gazetari: Dhe pse njerëzit duhet të të besojnë ty me paratë e tyre?

Efraim Diveroli: Askush nuk më ka akuzuar ndonjëherë se i kam humbur qoftë edhe një qindarkë të kuqe dikujt.

 

mediu diveroli gerdeci

4 Komente

  1. A
    Aldi

    Qe ishin te perfrishire Saliu e Mediu kjo nuk ka diskutim por qe nuk moren ndeshkim nga Drejtesia kjo eshte akoma me e rende humben jeten 26 persona miliona euro deme dhe nuk u hyri gjemb ne kembe kjo eshte drejtesia ne Shqiperi.

    1. E
      Endri

      Dmth bie edhe Delijorgji me kunatin Blendin

      1. p
        poshte komunizmi

        me parate e gerdecit Saliu dmth sypeshkaqeni po paguan miljona dollare neper lobime dhe gjyqe qe populli shqiptar dhe CIA e dine mire, prandaj eshte non-grada, kurse flliqesira me madhe eshte Fatmir MEdiu qe ska punuar kurre, ska asnje antar partie por ka miljona dollare te pista qe do tja sekuestrojne shume shpejt, sa per votat as gruaja e vet nuk jep, po Eli Fara ja jep voten se Ai ka lene lesht atje.

        1. E
          Eri

          Interesante shumë interesante ... Çfarë ka ndodhur që u shfaq tani... Se këtë pyetje nuk e bën askush, ndoshta kanë hall mos del ndonjë gjë e trilluar pasi do pyesin si u hodh në erë Gërdeci, po ai që vdiq pas lepurit, po ky si doli kaq shpejt nga burgu... etjer etjer etjer

          Lini një Përgjigje