
Kërkesa e Koalicionit Bashkë Fitojmë për përsëritje të zgjedhjeve në Elbasan është rrëzuar unanimisht dhe me vendim të formës së prerë nga Kolegji Zgjedhor. Pretendimet e tyre lidheshin kryesisht me manipulimin e pajisjeve përmes të cilave u votua dhe numërua elektronikisht.
Përfaqësuesit e “BF” kanë kërkuar ekspertim kompjuterik nga ekspertë të huaj si dhe verifikim të rezultatit që prodhuan pajisjet elektronike me fletët e printuara.
Por njësoj si për bashkinë Kamëz, ku gjithashtu u votua dhe numërua elektronikisht kërkesat e tyre u rrëzuan fillimisht në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve e më pas edhe në Kolegjin Zgjedhor.
Kujtojmë se më 14 maj kandidati socialist Gledian Llatja rezultoi fitues me mbi 56% të votave përballë kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Luçiano Boçi, i cili siguroi 43.62% të votave.
Gjitashtu Kolegjit Zgjedhor ka pushuar gjykimin në lidhje me padinë e Lefter Maliqit për zgjedhjet në Bashkinë e Kuçovës në 14 Maj.
Maliqi kishte kërkuar shfuqizimin e vendimit të Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve për hapjen e kutive për rinumërim dhe rivlerësim të votave në të gjitha Qendrat e Votimit. Por Kolegji ka vendosur ta pushojë çështjen duke rrëzuar kështu kërkesën e ish kandidatit të koalicionit “BF” për Bashkinë e Kuçovës.
Lini një Përgjigje