
Banorët presin përgjigje deri të hënën, pasi ndryshe qytetarët kanë paralajmëruar protesta të dhunshme.
Banorët e Thumanës kanë dalë sërish në protestë ditën e sotme duke kërkuar të drejtat e tyre për të patur akses në autostradën Thumanë Kashar.
Qytetarët kërkojnë hyrje dhe dalje për shtëpitë dhe bizneset e tyre nëpërmjet autostradës së re edhe në këmbim të pagesës.
Megjithatë kjo kërkesë ka rënë në vesh të shurdhët prej kohësh tashmë gjë që ka detyruar banorët të dalin sërish në protestë.
Disa nga banorët kanë treguar ka patur një reagim nga ana e pushtetit për plotësimin e kërkesës së tyre por kjo nuk është akoma zyrtare pasi pritet që ditën e hënë të ketë një përgjigje zyrtare për to nga ana e institucioneve.
Banorët thonë se do presin përgjigje deri të hënën, pasi ndryshe qytetarët kanë paralajmëruar protesta të dhunshme.
Banorët e Thumanës janë privuar nga të drejtat e tyre si qytetarë, duke bërë që bllokimi i rrugës të falimentojë bizneset që ndodhen në atë zonë dhe jo vetëm. Ata gjithashtu detyrohen të bëjnë më shumë kilometra rrugë për të shkuar në punë.
Protestët së qytetarëve i janë bashkuar edhe disa nga deputetët e PD, por asnjëri nga ata nuk guxon ta përmendë emrin e oligarkut Bashkim Ulaj. Një problem mjaft serioz i konstatuar në autostradën 21 km Thumanë-Kashar të ndërtuar nga Bashkim Ulaj, është mungesa e lidhjes sipas standardit mes urave dhe pjesës vijuese të rrugës.
Mes urave dhe rrugës ka një shkëputje, e cila bëhet gjithnjë e më e dukshme sa vjen. Paraprakisht mendohet se skandali konsiston në pamundësinë e inxhinierëve për të lidhur urat me seksionin rrugor sipas standardeve, për shkak të ngjeshjes jo sipas standardeve në të dy anët e urave.
Ka dyshime të forta se kostoja reale e rrugës është sa 20% e vlerës së deklaruar prej 435 milionë eurosh.
Thumanë-Kashar është padyshim një nga aferat më të mëdha të kësaj qeverie. Ndonëse u trumbetua me të madhe nga qeveria, ky aks jo vetëm që është kthyer në makth për banorët e zonës, por edhe për shoferët që udhëtojnë.
Dy muaj pas inaugurimit të aksit, asfalti ka filluar të bëhet gropa-gropa, duke u kthyer në gangrenë për shoferët. Duke qenë se kompania e Bashkim Ulajt ka hedhur dy gisht asfalt, të gjithë kamionët që kanë kaluar aty e kanë dëmtuar karrexhatën. Nga një vëzhgim i thjeshtë, të gjitha makinat lëvizin te korsia e shpejtësisë, pasi krahu tjetër është rrezik për aksidente duke qenë se shpejtësia është shumë e lartë.
Aksi Thumanë-Kashar është ndoshta rruga më e shtrenjtë në botë për kilometër, duke kushtuar deri në katër herë më shumë se rrugët europiane. Një raport i Bankës Europiane të Investimeve tregon se në vitin 2021, një kontratë koncesionare për ndërtimin e një autostrade 32 km të gjatë në Çeki, përfshirë mirëmbajtjen për 28 vite, kushtonte 16.5 milionë euro/km. Në Letoni, koncesioni Kekava Bypass për ndërtim dhe mirëmbajtje për 20 vite kushtonte 14.2 milionë euro/km
Në Shqipëri, Gener 2 ka marrë një koncesion me vlerë 1.3 miliardë euro për 35 vite për aksin Thumanë-Kashar.
Skandali është se autostrada u ndërtua, por nuk është lënë asnjë rrugë hyrëse apo dalëse për fshatrat aty. Të gjitha fshatrat janë izoluar dhe banorët nuk kanë se si të lëvizin. Përveç kësaj, është bllokuar dhe rruga e vjetër, me qëllim që të përfitojë Bashkim Ulaj. Skandali tjetër është pagesa. Edhe pse u tha se pagesa do të jetë 2.1 euro, në fakt qytetarët paguajë 270 lekë. Dhe skandalozja është se nuk pranohen në euro pagesat, ndonëse thuhet se është 2.1 euro. Pra një skenë e mirëfilltë grabitje, që detyron SPAK të vihet urgjentisht në lëvizje. /Pamfleti
Lini një Përgjigje