
Në seancën paraprake të dosjes “Partizani” që po vijon me dyer të mbyllura, avokati i Sali Berishës kërkoi pavlefshmëri të vendimeve që ka dhënë gjyqtarja Irena Gjoka.
Sipas mbrojtjes, gjyqtarja ka qenë e dënuar dhe vendimet e saj janë të pavlefshme. Por, kjo kërkesë u rrëzua nga gjyqtarja Floreja Davidhi me argumentin se kjo kërkesë e mbrojtjes është shqyrtuar njëherë.
Seanca ku pritet të vendoset nëse dosja do kalojë ose jo për gjykim, ka nisur që prej orës 11:30 dhe po vijon.
Kjo kërkesë e Berishës vjen sërish, pasi seancën e 5 majit dorëzoi një dokument përmes të cilit pretendonte se gjyqtarja e hetimit paraprak Irena Gjoka ka qenë e dënuar në 2005 në Greqi për falsifikim dokumentesh të udhëtimit. Mbrojtja e Berishës pretendon se nëse dokumenti për dënimin e Gjokës është i vërtetë, çdo vendimmarrje e gjyqtares së hetimit paraprak nuk ka patur legjitimitet.
Seanca e 5 majit u shty pas zgjedhjeve të 11 majit. Davidhi pritet të vendosë nëse do ta kalojë apo dosjen për gjykim me të pandehur Sali Berishën, Jamarbër Malltezin, Fatmir Bektashin, Xhimi Begejan dhe Andia Pustinën.
Dërgimi në gjyq i dosjes do të ishte përballja e parë reale e Berishës dhe Malltezit me drejtësinë. Një vendim i tillë do të ishte një tjetër ‘goditje’ për Berishën brenda pak ditësh pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 11 majit. Kreu i PD ndodhet në masë “detyrim paraqitje” për korrupsion, ndërsa dhëndri i tij Malltezi po hetohet në arrest shtëpie, i pandehur për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
Më herët në SPAK u paraqit dhe kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha për të zbatuar masën e detyrimit të paraqitjes për aferën ‘Partizani’, ku hodhi akuza të forta ndaj SPAK dhe Altin Dumanit që sipas tij po amnistojnë krimet zgjedhore.
Për aferën “Partizani” Sali Berisha ndodhet në masë “detyrim paraqitje” për korrupsion, ndërsa dhëndri i tij Malltezi po hetohet në arrest shtëpie, për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
Lini një Përgjigje