TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet24 Shkurt 2026, 18:57

Kaosi me aksin Librazhd–Prrenjas, kreu i Doganave sqaron si do të bëhet transporti i mallrave

Shkruar nga Pamfleti
Kaosi me aksin Librazhd–Prrenjas, kreu i Doganave sqaron si do të
Kreu i Doganave

Pas bllokimit të aksit rrugor Librazhd–Prrenjas, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka ndërmarrë masa për të garantuar vijimësinë e qarkullimit të mallrave dhe shmangien e bllokimeve në procedurat doganore.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, bëri të ditur se mallrat po devijohen përmes pikave kufitare të Bllatës, për hyrjet nga Maqedonia e Veriut, dhe Kakavijës, për hyrjet nga Greqia. Sipas tij, është shtuar edhe numri i punonjësve në këto pika për të përballuar fluksin e shtuar.

Beja sqaroi se, që në momentin e krijimit të situatës, strukturat doganore kanë trajtuar me prioritet shqetësimet e bizneseve dhe pezullimin e përkohshëm të lëvizjes së mallrave dhe udhëtarëve.

Pas bllokimit të lëvizjes në aksin Librazhd–Elbasan dhe anasjelltas, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka marrë menjëherë masa konkrete për të garantuar vijimësinë e qarkullimit të mallrave dhe kryerjen e formaliteteve doganore”, deklaroi Beja.

Sipas tij, për të shmangur pengesat janë orientuar alternativa të reja lëvizjeje përmes pikave kufitare Bllatë (Dibër), për mallrat që hyjnë nga Republika e Maqedonisë së Veriut apo përmes saj, dhe Kakavijë, për mallrat që hyjnë nga Greqia apo përmes saj.

Në bashkëpunim me autoritetet homologe të Maqedonisë së Veriut, është arritur mirëkuptim për lehtësimin e qarkullimit në pikën e Bllatës, ku do të lejohet kalimi i kamionëve dhe trajlerave të ngarkuar nga ora 12:00 deri në 22:00, kalimi 24 orë i mjeteve pa ngarkesë, si dhe kalimi i produkteve bujqësore që kërkojnë certifikim.

Ndërkohë, Dogana shqiptare ka nisur kontakte edhe me palën kosovare për të mundësuar lehtësime të mëtejshme në hyrje-daljet e mjeteve dhe mallrave.

Sa i përket mallrave që kanë hyrë përmes Qafë-Thanës dhe ndodhen në aksin e bllokuar apo në ambientet doganore, Beja bëri me dije se do të zbatohet regjimi i Transitit të Jashtëm (T1), sipas Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë. Ky regjim lejon tranzitimin e mallrave nga një pikë doganore në një tjetër, përmes një territori jashtë territorit doganor shqiptar.

Operatorët duhet të depozitojnë deklaratën doganore T1 në degën doganore Qafë-Thanë me destinacion Bllatën (Dibër), si dhe të hartojnë një dokument transporti (CMR) për itinerarin e ri.

Deklarata e plotë

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, deklaroi sot se, pas bllokimit të lëvizjes në aksin Librazhd–Elbasan dhe anasjelltas, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka marrë menjëherë masa konkrete për të garantuar vijimësinë e qarkullimit të mallrave dhe kryerjen e formaliteteve doganore.

Që në momentin e krijimit të situatës, strukturat doganore kanë trajtuar me prioritet shqetësimin e bizneseve dhe pezullimin e përkohshëm të lëvizjes së mallrave dhe udhëtarëve. Për të shmangur pengesat në procedurat doganore, janë orientuar alternativa të reja lëvizjeje përmes pikave kufitare:
• Bllatë (Dibër), për mallrat që hyjnë nga Republika e Maqedonisë së Veriut apo përmes saj;
• Kakavijë, për mallrat që hyjnë nga Greqia apo përmes saj.

Janë ndërmarrë masa për përforcimin e kapaciteteve logjistike dhe shtimin e personelit në degët kufitare Bllatë dhe Kakavijë, me qëllim përballimin e fluksit të shtuar dhe përshpejtimin e procedurave, deri në normalizimin e situatës rrugore.

Në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet homologe të Republikës së Maqedonisë së Veriut, është siguruar mirëkuptim i plotë për lehtësimin e qarkullimit. Pala maqedonase do të mundësojë në pikën e Bllatës:
• Kalimin e kamionëve dhe trajlerave të ngarkuar nga ora 12:00–22:00;
• Kalimin 24 orë të mjeteve pa ngarkesë;
• Kalimin e produkteve agro që kërkojnë certifikim.

Po ashtu, Dogana shqiptare vijon kontaktet edhe me palën kosovare për të mundësuar lehtësime të mëtejshme në hyrje-daljet e mjeteve dhe mallrave.

Sa i përket mallrave që kanë hyrë tashmë në territorin doganor shqiptar përmes Qafë-Thanës dhe ndodhen në aksin e bllokuar apo në ambientet doganore, zgjidhja teknike e ofruar është përdorimi i regjimit të Transitit të Jashtëm (T1), sipas Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë. Ky regjim lejon tranzitimin e mallrave nga një pikë doganore në një tjetër, përmes një territori jashtë territorit doganor shqiptar.

Konkretisht, operatorët duhet të depozitojnë deklaratën doganore T1 në degën doganore Qafë-Thanë, me destinacion Bllatën (Dibër), si dhe të hartojnë një dokument transporti (CMR) për itinerarin e ri.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave është e vetëdijshme për kostot shtesë që kjo situatë sjell për operatorët ekonomikë, si dhe për ndikimin në proceset e import-eksportit. Megjithatë, të gjitha strukturat janë angazhuar maksimalisht për të minimizuar pasojat dhe për të garantuar funksionimin sa më normal të aktivitetit tregtar.

Dogana do të vijojë të informojë në kohë reale publikun dhe komunitetin e biznesit për çdo zhvillim apo lehtësi të re.

doganat mallr librazhd prrenjas

Lini një Përgjigje