TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet24 Shkurt 2026, 18:41

Nga Salillari te 4 A-M dhe ANK/ Si qeveria licencoi gërryerjen e Shkumbinit dhe kush janë kompanitë që përfituan

Shkruar nga Pamfleti
Nga Salillari te 4 A-M dhe ANK/ Si qeveria licencoi gërryerjen e Shkumbinit
Masakrimi i lumit

Ja si qeveria ka licencuar gërryerjen e lumit Shkumbin...

Ndërsa Autoriteti Rrugor Shqiptar deklaron se rrëshqitja masive në aksin Librazhd–Prrenjas është pasojë e reshjeve intensive dhe mohon ndërhyrjet në lumin Shkumbin, dokumentet zyrtare tregojnë se vetë qeveria ka dhënë leje për shfrytëzim të gjerë të shtratit lumor nga kompanitë që po zbatojnë projektin.

Kreu i ARRSH-së, Ami Kozeli, deklaroi publikisht se “nuk ka asnjë lloj shkeljeje nga kontraktori në marrjen e inerteve” dhe se IKMT ka kontrolluar zonën. Por faktet tregojnë se ndërhyrjet në Shkumbin nuk janë çështje shkeljeje të fshehtë, ato janë të autorizuara me licenca shtetërore.

Kompania ANK, e cila ka fituar lotin 4 të zgjerimit të rrugës Elbasan–Qafë Thanë me vlerë rreth 20 milionë euro dhe operon pranë zonës ku ndodhi shembja, ka marrë më 19 dhjetor 2024 licencë për shfrytëzimin e inerteve në lumin Shkumbin. Leja është e vlefshme deri më 19 dhjetor 2027 dhe parashikon shfrytëzimin e 490 mijë metrave katrorë shtrat lumor, me të drejtë për të marrë 71.561 metër kub inerte.

Në dokument përcaktohet qartë se shfrytëzimi i shtratit të lumit bëhet për zbatimin e projektit “Zgjerimi i rrugës Elbasan–Qafë Thanë”.

ANK nuk është e vetmja. Në korrik 2023, kompania Alb-Building, fituese e lotit të parë me vlerë 21.8 milionë euro, mori leje për të gërryer Shkumbinin në një sipërfaqe prej 610.710 metrash katrorë, me të drejtë për të marrë deri në 619.637 metër kub inerte në vit, ose 1.858.911 metër kub gjatë gjithë periudhës së lejes, e cila skadon në 2027.

Në prill 2024, kompania “4 A-M” mori gjithashtu leje trevjeçare për shfrytëzim në kuadër të fazës II të projektit, me vlerë 24.2 milionë euro. Leja përfshin 175.824 metër katrorë sipërfaqe dhe 316.483 metër kub inerte në vit, ose 949.449 metër kub gjatë tre viteve. Pak ditë më parë, BKH, me urdhër të SPAK-ut, ka ushtruar kontrolle edhe tek kompania 4 A-M shpk e Ardit Metaliaj, i cili dyshohet se është prestanome i Bashkim Ulajt. Gjatë 5 viteve të fundit kompania 4 A-M shpk ka marrë nga arka e shtetit mbi 140 milionë euro para publike, përmes tenderëve klientelistë, të paracaktuar dhe me letra false.

Po Alb-Building ka marrë një tjetër leje në korrik 2025, këtë herë për projektin “Papër–Ura e Grykshit (Faza III)”, pjesë e aksit Elbasan–Lekaj, me shfrytëzim të 111.834 metrave katrorë dhe 226.807 metër kub inerte në total.

Po ashtu ka përfituar klienti i qeverisë Pëllumb Salillari. Në qershor 2025, ka marrë licencë për projektin “Elbasan–Papër (Faza I)” me vlerë 20 milionë euro, me 169.773 metër katrorë sipërfaqe shfrytëzimi dhe 425.000 metër kub inerte në total.

Nga Salillari te 4 A-M dhe ANK/ Si qeveria licencoi gërryerjen e Shkumbinit

Pra, ndërhyrjet në lumin Shkumbin nuk janë episodike, por të miratuara zyrtarisht dhe të lidhura drejtpërdrejt me projektet rrugore në zonë.

Ndërkohë, rrëshqitja masive në Librazhd–Prrenjas ka bërë segmentin të pakalueshëm, duke izoluar juglindjen e vendit dhe duke detyruar devijimin e trafikut dhe mallrave përmes pikave të tjera kufitare. Ndërsa zyrtarisht faji i atribuohet reshjeve dhe erozionit natyror, faktet tregojnë se shtrati i lumit ka qenë objekt shfrytëzimi intensiv me leje të dhëna nga vetë qeveria.

Sot, ndërsa qytetarët dhe bizneset përballen me pasojat, mbetet pyetja nëse ndikimi i ndërhyrjeve të autorizuara në lumin Shkumbin do të hetohet në thellësi dhe nëse përgjegjësia do të ndalet te “natyra”, apo do të shkojë deri te vendimmarrësit që kanë dhënë lejet.

 

Lini një Përgjigje