Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë këtë të martë pretencën për ish-shefin e Qarkullimit Rrugor në Tiranë Roven Zeka, cili i akuzuar për korrupsion.
Sipas kërkesës së prokurorisë, për Zekën është kërkuar dënimi me 4 vite heqje lirie. Duke qenë se çështja po shqyrtohet me procedurë të gjykimit të shkurtuar, në rast se gjykata do të japë një vendim fajësie, dënimi do të ulet në 2 vite e 8 muaj burg, i cili mund të konvertohet përfundimisht në 3 vite shërbim prove.
E njëjta masë dënimi është kërkuar edhe për ish-shefin e hetimit të aksidenteve, Sokol Navaku, i cili akuzohet në të njëjtën çështje. Ndërsa për të bashpandehurin tjetër, me inicialet B.B., SPAK ka kërkuar dënimin me 1 vit e 6 muaj heqje lirie.
Sipas akuzës, Zeka dhe Navaku dyshohet se kanë kërkuar një shumë prej rreth 2 mijë eurosh nga një shtetase me inicialet A.V., e përfshirë në një aksident rrugor më 16 prill 2025. Prokuroria pretendon se shuma është kërkuar në këmbim të favorizimit të saj në lidhje me rastin dhe se paratë duhej të dorëzoheshin brenda një afati të shkurtër.
Të dy zyrtarët u arrestuan më 19 prill 2025 me urdhër të Prokurorisë së Posaçme. Roven Zeka kishte marrë detyrën si shef i Qarkullimit Rrugor në Tiranë në dhjetor 2024, ndërsa më herët kishte shërbyer në strukturat e policisë në qytetin e Elbasanit.
Çështja pritet të kalojë për vendim në gjykatë, e cila do të vendosë mbi fajësinë ose pafajësinë e të pandehurve.
Lini një Përgjigje