
Ilir Beqaj ka kërkur lirim nga burgu kundrejt garancisë pasurore prej 50 mijë euro...
Ndërpritet seanca gjyqësore në ngarkim të ish-ministrit Ilir Beqaj, i cili do të njihet sot me masën e sigurisë.
Ai u arrestua për abuzim me fondet e BE dhe sot ka dalë para gjykatës. Pas afro 3 orësh, seanca është ndërprerë për rreth 30 minuta. Ilir Beqaj ka kërkur lirim nga burgu kundrejt garancisë pasurore prej 50 mijë eurosh.
Ndërkohë janë zbardhur detaje nga mohimi që u ka bërë Beqaj akuzave. SPAK pretendon se ai ka fshehur pronësinë e një automjeti, i cili përdorej nga Kurtulaj, por që në fakt ka qenë i Beqajt.
Beqaj tha se një automjet të tillë s’kishte pse ta fshihet pasi me të ardhurat që ka mund ta justifikojë. Ai shtoi se nuk ka as patentë dhe as automjet dhe ndaj lëviz gjithmonë si pasagjer.
Seanca e parashikuar për dje u shty për sot me kërkesë të avokatëve mbrojtës, të cilët kërkuan kohë për tu njohur me aktet hetimore. Gjyqtarja Rudina Palloj do të vlerësojë masat e sigurisë.
Arrest me burg është vendosur për Ilir Beqajn ish-ministër dhe ish-drejtor i SASPAC, bashkëpunëtorin e tij Ermal Kurtulaj, koordinator i projektit EUSAIR, dhe Alfred Nikollën, drejtori Administrativ i ‘Landëays International’. Ndërkohë, arrest shtëpie është caktuar për Elton Marini ortak i shoqërisë private dhe Gazmend Haxhia – Pronari i ‘Landëays International’, por për të nuk është ekzekutuar masa e sigurisë pasi ndodhet jashtë shtetit. Në detyrim me paraqitje janë Bledar Leka e Bjona Zijaj konsulentë financiarë.
I vetmi që ka katër akuza është ish-ministri Ilir Beqaj ndaj të cilit SPAK ka ngritur akuzat e korrupsionit pasiv, mosdeklarimit dhe fshehjes së pasurisë, mashtrimit, dhe pabarazisë në tenderë. Ndërsa të proceduarit e tjerë akuzohen për korrupsion aktiv dhe pasiv si dhe për mashtrim.
SPAK thotë se ka gjetur prova se Ilir Beqaj si drejtues i SASPAC, në bashkëpunim me Kurtulajn, të cilin vetë e kishte emëruar, urdhëronte procedura fiktive prokurorimi, me vlerë qindra mijëra euro, kompanive të ndryshme për shërbime të pakryera dhe përfitues fundor të ishte pikërisht vetë ish ministri përmes Restorant Gzona në Tiranë, që SPAK thotë se është në pronësi të tij.
Lini një Përgjigje