
Arjan Hoxha, ish-drejtues i Policisë së Shtetit, në “Të Pashoq” duke folur për atentatet e ndodhura pak ditë më parë, njëri në Lezhë dhe tjetri në Tiranë, tha se kjo tregon se siguria në Shqipëri është në nivele minimale.
Hoxha tha se një nga arsyet kryesore pse Shqipëria ka rreth 1 milionë të larguar është mungesa e rendit dhe sigurisë, jo vetëm në raport me biznesin, por edhe për jetën. Ai shtoi se intelektualët kanë parësore rendin dhe sigurinë.
Nuk ka asnjë reagim nga zyrtarët e lartë për ngjarjet e njëpasnjëshme, si e shpjegoni?
Këtë e shoh në dy këndvështrime. Tendenca për tiu shmangun analizës së vërtetë, tendenca për të sqaruar opinionin publik, por nga ana tjetër shoh krimin e organizuar që nuk ka asnjë kod dhe asnjë rregull, që nuk kursen as fëmijët, për të arritur qëllimin e tyre kriminal. Ju garantoj se dëmi psikologjik që shkakton krimi, nga situata e nderë, është një dëm që shkatërron shpresat, shkatërron besimin në të gjithë korpusin institucional që ka lidhje me rendin dhe sigurinë.
A ka ndodhur më parë që të qëllohet mbi fëmijët?
Nuk ka pasur tendencë më parë të grupeve kriminale të kenë goditur mbi fëmijë. Mund të ndodhë, por jo të planifikuara. Por në atentatin e Lundrës ka qenë një goditje e planifikuar. Mund të ketë lajthitje në objekt, por ka qenë një atentat i planifikuar, përsa kohë që ka pasur vëzhgime. Ndoshta kanë ngatërruar targën, mendoj se ekziston pista që mund të jetë gabuar objektivi, pasi do të ishte kafshërore të hapej zjarr mbi të mitur.
Sipas jush pas ngjarjes kush duhej të reagonte pas ngjarjes?
I pari duhej të reagonte drejtuesi i Policisë së Shtetit, fillimisht përmes forcës së ligjit, që të dokumentonte ngjarjen dhe vënien para përgejgjësisë së autorëve të përfshirë.
Duhej të kishim një reagim nga Drejtori i Policisë, por edhe ministri i Brendshëm, që të siguronte të afërmit dhe qytetarët, që do t’i shkonin deri në fund zbardhjes së kësaj ngjarjeje apo edhe të tjerave që kanë mbetur të pazbardhura. Nuk kemi veprime proceduriale të Policisë, kemi zero hetime proaktive nga Policia.
Mungesa e reagimit mos lidhet me faktin që mos i jepej zë ngjarjes?
Në fushatë rendi dhe siguria janë parësore. Por mendoj se kjo ka ndodhur që të ulej ndjeshmëria ndaj ngjarjeve. Duke mos i dhënë zë institucioni, duke mos i dhënë zë media, do të harrohej edhe kjo ngjarje, sikundër ka ndodhur edhe më parë.
Lini një Përgjigje