TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet23 Prill 2025, 19:19

14-vjeçari dhunohet në komisariatin e Policisë, Komiteti i Helsinkit: Të hetohet rasti, i mituri kishte hematomë në sy

Shkruar nga Pamfleti

14-vjeçari dhunohet në komisariatin e Policisë, Komiteti i

Komiteti i Helsinkit ka kërkuar hetimin e rastit të dhunës në Polici ndaj një të mituri 14 vjeç. Ai u shoqërua më 12 prill në komisariatin nr.1, pasi ishte kapur duke hedhur në mënyrë të paligjshme fishekzjarre pranë zonës së Kodrës së Liqenit në Tiranë.

Komiteti i Helsinkit, shprehet se prindërit e të miturit pretendojnë se ndaj djalit të tyre, punonjësit e policisë kishin ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike.

Nga vëzhgimet e Komitetit të Helsinikit rezulton se, sipas dokumentacionit të këqyrur, i mituri J.G, i datëlindjes 09.11.2010, në datë 12.04.2025, ora 18:40 ishte shoqëruar në Komisariatin e Policisë Nr.1. Shkaku i shoqërimit ishte dyshimi për prishje të qetësisë publike dhe hedhje të lëndëve piroteknike.

Në Raportin e Shoqërimit shënohej se i mituri kishte një hematomë në krahun e syrit të djathtë. Në dokumentacionin e këqyrur nuk rezulton të jetë vizituar nga mjeku. Fakti i mësipërm u mohua nga punonjësit e policisë.

Megjithëse në raportin e përmendur më lart ishte shënuar hematoma, nuk rezultoi që i mituri të ishte vizituar nga mjeku i Komisariatit, në kundërshtim me parashikimet e Kreut IV, të Procedurës Standarde “Trajtimi dhe sigurimi i personave të arrestuar/ndaluar në ambientet e Policisë së Shtetit, evidentimi dhe zgjidhja e kërkesë/ankesave të tyre”.

Me kërkesën e prindërve që shkuan në Komisariat menjëherë mbas njoftimit, u njoftua urgjenca e Spitalit të Traumës. Në regjistrin përkatës ishte shënuar fakti i mësipërm. I mituri u shoqërua në Spitalin e Traumës, në datë 12.04.2025, ora 20:00. Sipas epikrizës përcjellëse mjekësore që i është dërguar KShH-së nga prindërit e të miturit diagnoza është: Contuzion capitis, goditje me grushta. Të ndiqet nga mjeku i familjes për pushim dhe rikontroll sipas sistemit të referimit.

Në Regjistrin e të dhënave të personave të shoqëruar të mitur, KShH konstatoi korrigjime në oraret e shënuara, në emrin e psikologes dhe oficerit të policisë gjyqësore. Në fakt psikologia M.T nuk kishte marrë takim me të miturin J.G në Komisariat, por vetëm në ambientet e Spitalit të Traumës. Nga kjo del se emri i psikologes në regjistrin e Komisariatit ishte shënuar më vonë.

“Duke pasur parasysh faktet e mësipërme arrihet në përfundimin se i mituri J.G është dhunuar, gjë që ka qenë evidente jo vetëm me shikimin vizual, por edhe në epikrizën mjekësore të Spitalit të Traumes. Veç kësaj punonjësit e policisë megjithëse kanë bërë shënimet në regjistër për hematomën, meqë mohuan ushtrimin e dhunës ndaj tij nuk e dërguan atë për vizitë tek mjeku. I mituri u dërgua në spital vetëm me insistimin e prindërve.

Në rastin e përmendur më lart në Komisariatin e Policisë Nr. 1, të miturit J.G nuk i është dhënë ndihma e nevojshme mjekësore dhe psikologjike duke vepruar kështu në kundërshtim me nenin 34, pika 1, gërma ç dhe pikën 1 të nenit 35 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe nenet 10, 14, 18 të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, ku bëhet fjalë për parimin e interesit më të lartë të fëmijës, asistencën e psikologut si dhe përdorimin e masave alternative të shmangies. Ndërkohë që prindërit e shtetasit të mitur, më datë 13.04.2025 kanë depozituar një kallëzim pranë Agjensisë së Mbikëqyrjes Policore si dhe Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, KShH i bën thirrje institucioneve përgjegjëse ta hetojnë këtë rast me përparësi dhe seriozitet, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe parandalimin e situatave të ngjashme në të ardhmen”, theksohet në deklaratë.

Lini një Përgjigje