TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet21 Maj 2026, 22:47

“Hipokritë, ushtri jeniçerësh”, Vangjeli 'shpërthen' për marrëveshjen PD-PS

Shkruar nga Pamfleti
“Hipokritë, ushtri jeniçerësh”, Vangjeli
Foto ilustruese

Gazetari Lorenc Vangjeli ka komentuar konsensusin e fundit mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për rezolutën e integrimit dhe ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, duke e cilësuar atë një lëvizje taktike dhe hipokrite.

I ftuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin” në Euronews Albania, Vangjeli tha se përplasjet mes palëve janë shpesh artificiale dhe të ndërtuara për publikun.

Sipas Vangjelit, të dyja palët politike e dinin paraprakisht rrjedhën e zhvillimeve dhe opozita zgjodhi të bëhej pjesë e suksesit që qeveria do të promovonte pas raportit të IBAR-it.

Kjo do të duhej të ishte rregull. Kështu do duhej të ishte si rregull dhe jo të shihej si përjashtim. Njëra nga arsyet është se të dyja palët e dinin se çfarë do të ndodhte. Pra, IBAR-i do të merrej dhe ky fakt, së paku nga qeveria, do të trumbetohej dhe brohorej si sukses, ndërsa opozita nxitoi të bëhej pjesë e këtij suksesi. Është një lëvizje taktike, sepse strategjia e përhershme e opozitës është që të jetë gjithmonë reaktive. Do të thotë nuk vepron, por thjesht reagon ndaj asaj që ndodh gjatë ditës. Për ta thënë më thjeshtë, çfarë njëra palë thotë se është e bardhë dhe ndrit si flori, pala tjetër thotë se është katran dhe nxin si ferr. Këtë bënin socialistët dje në opozitë, këtë bëjnë demokratët sot”, u shpreh Vangjeli.

Gazetari tha se tensioni i vazhdueshëm politik në Kuvend është i ekzagjeruar dhe shpesh nuk reflekton marrëdhënien reale mes deputetëve jashtë kamerave.

Raporti vetë e nënvizonte situatën e tensionuar, shpesh të panevojshme, dhe është një tension i jashtëzakonshëm. Këtu duket sikur po theren. Po t’i pyesësh se çfarë ka ndodhur para një jave, e harrojnë. Edhe skenat e dhunës që ndodhin, edhe përplasjet e mëdha, edhe këto paqe të shkurtra që ngjajnë si shkëmbim krushqish që pinë gotën e rakisë me njëri-tjetrin, janë thjesht hipokrite. Janë ditën më të nxehtë në Parlament, me kamera të ndezura, ngjajnë si dy ushtri jeniçerësh ballë përballë që kanë drejtuar armët. Dhe pas shpinës së kryetarit të Kuvendit është lokali, është kafja e Parlamentit. T’i shikosh aty, janë sërish bashkë duke biseduar, a thua se nuk kishte ndodhur asgjë”, deklaroi ai.

Vangjeli shtoi se përplasjet politike janë kthyer në një “teatër” të institucionalizuar për t’i shërbyer liderëve politikë dhe jo debatit real.

Është institucionalizuar teatri përpara kamerës për të rrëfyer dobishmërinë e secilit përpara liderit të radhës. Doktori i do brohoritës, i do me flakadan në dorë dhe në gojë, Rama i do hazërxhëvap për t’u përgjigjur atyre. Dhe atje ku janë të vërtetë, pranë gotës së ujit dhe filxhanit të kafes, është paqe. Pra, ja ku është prova që e gjitha është jo vetëm artificiale, por edhe hipokrite. Nuk është e shkruar gjithçka në rregullore. Ka edhe kode morale që nuk shkruhen askund”, tha Vangjeli.

vangjeli rama berisha

Lini një Përgjigje