Pas rezolutës së përbashkët për integrimin europian, socialistët dhe demokratët kanë arritur një tjetër dakordësi politike në Kuvend. Me 100 vota pro dhe vetëm 1 kundër, u miratuan ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, të cilat rrisin rolin e komisioneve parlamentare dhe i japin më shumë peshë Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, i njohur si Komisioni “Xhafaj”.
Seanca maratonë e së enjtes u mbyll me një tjetër pakt mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Pas dakordësisë së parë për rezolutën e integrimit europian, palët bashkuan votat edhe për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, duke miratuar paketën me 100 vota pro dhe 1 kundër.
Ndryshimet prekin mënyrën sesi do të funksionojë Kuvendi në raport me procesin e integrimit, kontrollin parlamentar, raportimin e institucioneve të pavarura dhe disiplinën e deputetëve.
Pika më e rëndësishme lidhet me forcimin e Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, i njohur politikisht si Komisioni “Xhafaj”. Ky komision merr tashmë një rol qendror në monitorimin e institucioneve të pavarura, ndjekjen e rezolutave të Kuvendit, zbatimin e strategjive dhe planeve të veprimit, si dhe kontrollin post-legjislativ.
Sipas ndryshimeve, institucionet e pavarura do të vijojnë të raportojnë në komisionet përgjegjëse parlamentare. Këto komisione do të hartojnë një projektrezolutë me vlerësime dhe rekomandime për vitin pasardhës, e cila më pas do t’i kalojë Komisionit “Xhafaj”. Ky i fundit do të shqyrtojë projektrezolutën, do të verifikojë zbatimin e rekomandimeve të vitit të kaluar dhe më pas do ta çojë dokumentin në seancë plenare.
Kjo ishte një nga pikat ku socialistët u tërhoqën nga propozimi fillestar. PS kishte kërkuar shmangien e plotë të raportimeve në seancë plenare të institucioneve të pavarura, por pas negociatave me opozitën u ra dakord që institucionet kushtetuese të vijojnë të paraqiten në Kuvend.
Avokati i Popullit, Prokurori i Përgjithshëm, drejtuesi i KLP-së, drejtuesi i KLGJ-së, Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit do të kenë të drejtë të paraqesin një përmbledhje të raportit në seancë për jo më shumë se 10 minuta dhe më pas t’u përgjigjen pyetjeve të deputetëve. Pyetjet duhet të depozitohen me shkrim të paktën 24 orë para seancës.
Një tjetër pikë e rëndësishme lidhet me ligjet e integrimit europian. Socialistët tërhoqën propozimin që çdo projektligj i kërkuar nga Bashkimi Europian të shqyrtohej brenda një jave me procedurë të përshpejtuar. Në variantin final, ligjet e integrimit do të kalojnë me procedurë normale, përveç rasteve kur qeveria kërkon procedurë të përshpejtuar me argumentim të posaçëm.
Për projektligjet që lidhen me përafrimin e legjislacionit me BE-në, Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit ose detyrimet e negociatave, do të kërkohet edhe një kartelë e posaçme “BE”. Ajo duhet të tregojë se me cilin akt të acquis europian lidhet projektligji, shkallën e përafrimit dhe detyrimin konkret që buron nga procesi i integrimit.
Ndryshimet forcojnë edhe të drejtën e deputetëve për informim. Çdo deputet do të ketë të drejtë të kërkojë informacion nga institucionet qendrore dhe vendore, ndërsa titullarët do të jenë të detyruar të përgjigjen brenda 15 ditëve. Nëse kjo nuk ndodh, Kryetari i Kuvendit mund t’i kërkojë institucionit përgjigje brenda 5 ditëve dhe më pas t’i drejtohet organit epror për marrjen e masave administrative.
PS u tërhoq edhe nga propozimi për përgjysmimin e kohës së diskutimit në seancë plenare. Koha e fjalës për deputetët do të mbetet 10 minuta, siç ishte më parë, dhe jo 5 minuta siç ishte propozuar fillimisht.
Një kërkesë tjetër e opozitës që u pranua lidhet me masat disiplinore. Nëse një deputet ankimon një masë përjashtimi në Byronë e Kuvendit, masa pezullohet automatikisht deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga Byroja.
Ndryshim ka edhe për seancat e gjata plenare. Në rast se seanca zgjatet pas orës 22:00, çdo kryetar grupi parlamentar mund të kërkojë ndërprerjen e saj dhe rifillimin ditën tjetër. Ndërprerja do të bëhet me votim të hapur në Kuvend.
Rregullorja e re riorganizon gjithashtu komisionet parlamentare. Kuvendi do të ketë 11 komisione të përhershme, mes tyre Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme, Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, si dhe Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.
Në këtë mënyrë, paketa e miratuar shihet si pakti i dytë politik mes PS-së dhe PD-së brenda një kohe të shkurtër, pas rezolutës për integrimin europian. Mazhoranca dhe opozita kanë rënë dakord për një model të ri funksionimi të Kuvendit, ku procesi i integrimit europian, raportimi i institucioneve dhe kontrolli parlamentar kalojnë në një strukturë më të centralizuar, me rol të shtuar për Komisionin “Xhafaj”.
Lini një Përgjigje