Ish-anëtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Ardian Hajdari, ka fituar rekursin në Gjykatën e Lartë, e cila ka vendosur prishjen e vendimeve të mëparshme të dhëna ndaj tij për akuzën e mosdeklarimit të pasurisë.
Sipas dispozitivit të vendimit, gjyqtari Gent Shala ka vendosur prishjen e vendimeve të mëhershme ndaj Hajdarit dhe pushimin e gjykimit të çështjes pa e kthyer atë për rigjykim.
“Gjykata e Lartë ka urdhëruar pushimin e gjykimit të çështjes pa e kthyer për rishqyrtim”, thuhet në dispozitivin e vendimit.
Dy vite më parë, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shpalli fajtor Ardian Hajdarin për fshehje dhe mosdeklarim pasurie. Ai u dënua me 1 vit burg, dënim që u konvertua në 2 vite shërbim prove.
Pas marrjes si i pandehur nga SPAK, Hajdari ishte pezulluar nga detyra në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit që prej 7 shkurtit 2022. Në rast se vendimi i fajësisë do të merrte formë të prerë, KPA do të duhej të vendoste për shkarkimin e tij nga detyra.
Çështja ndaj Hajdarit nisi pas një kallëzimi penal të depozituar në SPAK më 24 qershor 2020, ku pretendohej se ai kishte dhënë deklarime të rreme gjatë aplikimit për anëtar të KPA-së, duke pretenduar se kishte ushtruar profesionin e avokatit për 17 vite.
SPAK e akuzoi Hajdarin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara nga aktiviteti i avokatisë në momentin kur aplikoi për postin në KPA. Sipas organit të akuzës, mosdeklarimi nuk ishte një harresë, por një fshehje e qëllimshme dhe e vazhdueshme ndër vite.
Sipas hetimeve të SPAK, Ardian Hajdari kishte përfaqësuar dhjetëra çështje si avokat, por të ardhurat e përfituara prej tyre nuk rezultonin të deklaruara në organet tatimore.
Prokuroria pretendonte gjithashtu se Hajdari kishte depozituar për vite me radhë deklarata tatimore me vlera zero ose minimale dhe kishte mbajtur të njëjtin qëndrim edhe pas kontrolleve tatimore të kryera ndaj tij.
Nga ana e tij, Hajdari ka këmbëngulur vazhdimisht në pafajësi, ndërsa KPA nuk ka bërë ende koment publik pas vendimit të Gjykatës së Lartë.
Ardian Hajdari ishte anëtari i dytë i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që përballej me proces penal, pas ish-anëtarit Luan Daci, i cili u shpall fajtor me vendim të formës së prerë për falsifikim të formularit të aplikimit që i mundësoi zgjedhjen në KPA.
Lini një Përgjigje