TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet21 Maj 2026, 17:29

Kontrolle në burgjet e Durrësit, Peqinit dhe Shkodrës, sekuestrohen celularë dhe USB

Shkruar nga Pamfleti
Kontrolle në burgjet e Durrësit, Peqinit dhe Shkodrës,
Celularët e kapur

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njoftoi se gjatë kontrolleve të ushtruara në tre institucione të ekzekutimit të vendimeve penale janë sekuestruar disa aparate celularë dhe sende të tjera të ndaluara. Materialet procedurale janë referuar për veprime të mëtejshme.

Në kuadër të forcimit të masave të sigurisë dhe parandalimit të futjes apo mbajtjes së sendeve të ndaluara në burgje, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka zhvilluar kontrolle në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Durrës, Peqin dhe Shkodër.

Sipas njoftimit zyrtar, kontrollet janë ushtruar nga Grupi i Sigurisë, nën drejtimin e drejtuesve të institucioneve, shefave të policisë, specialistëve të Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale dhe nën kujdesin e z. Frank.

Në IEVP Durrës, kontrollet janë zhvilluar në ambientet e brendshme të godinës “A”, në dhomën ku qëndronin të paraburgosurit me iniciale G.A., N.B., E.C. dhe M.Ç. Gjatë kontrollit është gjetur një aparat celular “iPhone” ngjyrë e zezë, i fshehur poshtë jastëkut të të paraburgosurit E.C., i cili ka pranuar se telefoni ishte në pronësi të tij.

Po ashtu, gjatë kontrollit në të njëjtën godinë janë gjetur edhe dy pajisje USB, të cilat janë sekuestruar dhe administruar si sende të ndaluara.

Ndërkohë, në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Peqin, kontrollet janë ushtruar në godinat e banimit dhe ambientet e përbashkëta. Në ambientet e dusheve janë gjetur dhe sekuestruar dy aparate celularë: një “Samsung” ngjyrë e bardhë dhe një “Redmi” ngjyrë e zezë.

Kontrolle janë zhvilluar edhe në IEVP Shkodër, ku gjatë kontrollit fizik ndaj të paraburgosurit me iniciale G.Z. është konstatuar dhe sekuestruar një aparat celular i tipit “iPhone”, së bashku me karikuesin. Sipas autoriteteve, personi është veçuar menjëherë dhe për rastin është hartuar raport incidenti.

Në ambientet e përbashkëta të institucionit në Shkodër janë gjetur gjithashtu edhe dy aparate të tjera celularë të tipit “iPhone”.

Për të gjitha rastet, Drejtoria e Burgjeve bën me dije se janë hartuar procesverbalet përkatëse të bllokimit dhe dorëzimit të sendeve të ndaluara, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Agjencisë kompetente për vijimin e veprimeve të mëtejshme procedurale, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

burgje telefona

Lini një Përgjigje