TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet21 Maj 2026, 12:00

UPDATE/ Edicioni Informativ, ora 12:00

Shkruar nga Pamfleti

UPDATE/ Edicioni Informativ, ora 12:00

Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:

Dosja Meta-Kryemadhi

Zbulohen mesazhet për Shkëlzen Berishën dhe Bashkim Ulajn

Detaje të reja janë publikuar nga dosja e SPAK ku të pandehur janë ish-Presidenti Ilir Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, e cila po gjykohet në GJKKO, ndërsa SPAK ka ngritur një seri akuzash ndaj dy prej politikanëve që për vite me rradhë janë përballur me akuza publike, ndërsa prej dy vitesh ndodhen nën hetimin e thelluar të SPAK.

Në dokumentet e publikuara dokumentohen blerje luksoze të Monika Kryemadhit në San Marino me karta krediti të lidhura me biznesmenin shqiptaro-amerikan Adrian Shatku, por jo vetëm. Në to përmenden edhe emrat e biznesmenit Bashkim Ulaj si dhe djalit të ish-Kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha.

Sipas dosjes hetimore, në datën 24 shtator 2014, Monika Kryemadhi i shkruan Adrian Shatkut në WhatsApp se ndodhej në San Marino, ndërsa i tregonte edhe për planet familjare dhe udhëtimet në qendrën luksoze “Lanserhof”. Një ditë më pas, më 25 shtator 2014, SPAK thotë se Kryemadhi tentoi të kryente blerje luksoze në butikët “Ferreti Boutique” dhe “Maccapani”, por karta “Black” nuk po pranohej, çka solli një seri komunikimesh direkte me Adrian Shatkun. Teksa po zgjidhte problemet e kartës së kreditit të Monikës në San Marino, Adrian Shatku i shkruante paralelisht për lejet që priste nga ministri Edmond Haxhinasto:

“Mondi duhet të japë akses siç është ATU e Bashkimit… nuk mund të vazhdojë më në këtë mënyrë… është paralizuar tregu dhe pasuria publike për Bashkimin dhe Zenin”.

Sipas SPAK, me “Bashkimin” bëhet fjalë për biznesmenin Bashkim Ulaj, ndërsa “Zeni” referohet për Shkëlzen Berishën, djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha.

Seanca në GJKKO

Ilir Beqaj del nga kafazi i xhamtë; kërkon pushimin e dosjes për Sterilizimin

Ilir Beqaj, ish-ministri i Shëndetësisë, i cili po përballet me një gjykim në GJKKO, pas akuzave të SPAK, nuk do të qëndrojë më në kafazin e xhamtë në sallën e gjyqit. GJKKO ka pranuar kërkesën e Beqajt për t’u ulur pranë avokatit të tij, ndërsa ish-ministri ndodhet me masën e sigurisë ‘arrest me burg’ prej 4 korrikut 2024.

Dalja nga kafazi mund të quhet edhe ‘fitorja’ e parë që Beqaj ka arritur nga momenti kur u arrestua, ndërsa ka kërkuar disa herë ndryshimin e masës së sigurisë, por kërkesat e tij, janë rrëzuar nga Gjykatat.

Mbajtja në kafazin e xhamtë të të pandehurve me masë arresti me burg ka hapur një debat jo vetëm në rradhët e avokatëve, por edhe politikës. Ilir Meta dhe Erion Veliaj kanë kërkuar që të gjykohen jashtë kafazit të xhamtë, por deri më tani kërkesat e tyre janë rrëzuar nga Gjykata. Nuk dihet nëse pranimi i kërkesës së ish-ministrit të Shëndetësisë mund të shënojë një tjetër standard në sallat e gjyqit, veçanërisht për personat që nuk konsiderohen të rrezikshëm.

Ilir Beqaj akuzohet për pesë vepra penale , “korrupsion pasiv”, “shkelje e barazisë në tenderë”, “falsifikim dokumentash”, “mashtrim” në bashkëpunim dhe “mosdeklarim pasurie”.

Beqaj ishte ndër të parët zyrtarë të lartë që u përball me SPAK dhe më pas me arrestimin.

Kërkon zhbllokimin e pasurive

Babai i Ervis Martinajt paraqitet në GJKKO

Babai i Ervis Martinajt, i zhdukur që prej 8 gushtit 2022, është paraqitur paraditen e sotme në ambientet e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Mustafa Martinaj është parë duke ecur me vështirësi, i mbështetur në një bastun, teksa hynte në ambientet e GJKKO-së.

Paraqitja e tij vjen vetëm pak ditë pasi ai bëri deklarata të forta publike lidhur me zhdukjen e djalit të tij. Më 12 maj, Mustafa Martinaj hodhi akuza edhe ndaj Policisë së Shtetit, duke pretenduar se drejtues dhe ish-drejtues të policisë janë të interesuar për moszbardhjen e ngjarjes.
Më herët, ai ka deklaruar publikisht se ka dorëzuar informacione dhe prova që sipas tij tregojnë vendndodhjen e mundshme të trupit të pajetë të Ervis Martinajt, duke këmbëngulur se i biri është vrarë.

Megjithatë, sipas pretendimeve të tij, këto informacione nuk janë marrë në konsideratë nga autoritetet hetimore, çka ka shtuar tensionin rreth një çështjeje që prej kohësh mbetet pa përgjigje zyrtare.

Brenda ‘PlayStation’ u gjetën 4 telefona

Ish-drejtori tregon aksionin në burgun e Peqinit

Teksa Drejtoria e Burgjeve ka shtuar kontrollet për parandalimin e futjes së sendeve të paligjshme në institucionet e vuajtjes së dënimit, ish-drejtori i burgut të Peqinit, Faik Basha, ka treguar një rast të tentativës për futjen e telefonave celularë të fshehur brenda një pajisjeje “PlayStation”.
Basha deklaroi se informacioni kishte mbërritur paraprakisht dhe se pajisjet elektronike që futen në burg kontrollohen nga një ekip i posaçëm.

“Kam patur një rast ku më vjen një informacion që nëpërmjet pajisjeve elektronike janë futur telefona dhe do vijnë brenda me postë. Ka një ekip që kontrollon të gjitha pajisjet që futen brenda. Një herë në javë ditën e premte në orën 2:00 e kishim ne, mblidhet komisioni, ne kishim elektricist se duhet të kesh specialist IT, por që për aq sa duhet është Ok dhe shefat e shërbimit të jashtëm e të brendshëm që asistojmë”, tha Basha për "A2 CNN".

Sipas tij, gjatë kontrollit pajisja fillimisht rezultoi funksionale, por më pas nisi procesi i hapjes së saj.

“Kontrolluam pajisjet dhe këto pajisje i lamë për në fund dhe u pa pajisja. Ishte Playstation nga modelet e vjetra. U vendos në prizë, punonte dhe pastaj do bëhej procesi i hapjes së brendshme, ishin pak të vështira. Kur u hap pajisja brenda ishin 4 telefona kishin shkuar te një ekspert të këtyre pajisjeve i cili kishte krijuar hapësira e mundësi për ta futur brenda dhe për ta bërë funksionale”, theksoi ai.

Basha shtoi gjithashtu se pajisje si frigoriferët dhe televizorët zakonisht nuk hapen për kontroll të brendshëm, pasi blihen direkt nga institucioni në qendra të mëdha tregtare.

Për më shumë, klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00

Lini një Përgjigje