TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet21 Maj 2026, 08:33

PS projektligj për Policinë e Shtetit, hiqet gara për drejtuesit dhe shefat e komisariateve

Shkruar nga Pamfleti

Partia Socialiste ka propozuar ndryshime në ligjin për Policinë e Shtetit, ku kërkon heqjen e konkursit në Departamente dhe Drejtori. Kjo, pasi e konsideron këtë proces se është i tejzgjatur dhe pa produktivitet.

PS projektligj për Policinë e Shtetit, hiqet gara për drejtuesit
Skënder Hita, kreu i Policisë së Shtetit

Dy vite pasi u trumbetua si “revolucion” në Policinë e Shtetit, gara për postet drejtuese te blutë duket se po shkon drejt arkivit. Deputeti socialist Bujar Rexha sot më 21 Maj, ka depozituar në Kuvend një projektligj të ri, i cili praktikisht zhbën një pjesë të ndryshimeve të korrikut 2024, duke i hequr konkurset për shumicën e posteve të larta në polici.

Rexha kërkon heqjen e garës për postet kryesore te blutë, përveç drejtuesit madhor, dhe për këtë ka disa argumente në relacionin shpjegues.

Procedura e përzgjedhjes së drejtuesve të strukturave të nivelit të lartë policor, është kthyer në pengesë në vetë ushtrimin e veprimtarisë së tyre, kanë ulur ndjeshëm reagimin dhe produktivitetin e veprimtarisë qoftë administrativ po ashtu dhe atë operativ, për shkak të një procesi konkurrimi të tejzgjatur në kohë dhe pa produktivitet përzgjedhje.

Zhvillimi i këtij procesi, ka shtuar procedurat burokratike, formale dhe aspak efektive për përzgjedhjen e drejtuesve në pozicione të larta drejtuese, atë të zëvendësdrejtorit të përgjithshëm, drejtorit të departamentit, drejtuesit vendor dhe deri tek shefi i një komisariati.

Ligji aktual e ka të qartë që në momentin që kryepolici largohet nga detyra, përfundon mandatin, dorëhiqet apo shkarkohet, nuk mund të kthehet në gradë më të ulët se ajo “drejtues madhor”, duke e lënë përfundimisht policinë.

Deputeti Rexha propozon që pas largimit nga detyra më madhore ne polici, t’i jepet grada “drejtues i parë”, dhe në këtë mënyrë të vijojë karrierën në polici, në funksione të ndryshme.

Ndryshime propozohen edhe për sistemin e gradave. Deri më tani, të gjitha nivelet e gradave në polici kalonin nga një në tjetrën në 5 vite diferencë, por Rexha propozon që gradat “komisar” në “kryekomisar” dhe “kryekomisar” në “drejtues” të shkurtohen në 4 vjet.

Ndryshimet e propozuara pritet të kalojnë me radhë në komisionet parlamentare, aty ku pritet jo pak debat mes pozitës dhe opozitës. Pas komisioneve, brenda sesionit parlamentar pritet votimi në Kuvend dhe hyrja në fuqi.

ps projektligj për policinë e shtetit hiqet gara për drejtuesit

Dokumenta bashkëngjitur

Lini një Përgjigje