Babai i Ervis Martinajt, i zhdukur që prej 8 gushtit 2022, është paraqitur paraditen e sotme në ambientet e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Mustafa Martinaj është parë duke ecur me vështirësi, i mbështetur në një bastun, teksa hynte në ambientet e GJKKO-së.
Paraqitja e tij vjen vetëm pak ditë pasi ai bëri deklarata të forta publike lidhur me zhdukjen e djalit të tij. Më 12 maj, Mustafa Martinaj hodhi akuza edhe ndaj Policisë së Shtetit, duke pretenduar se drejtues dhe ish-drejtues të policisë janë të interesuar për moszbardhjen e ngjarjes.
Më herët, ai ka deklaruar publikisht se ka dorëzuar informacione dhe prova që sipas tij tregojnë vendndodhjen e mundshme të trupit të pajetë të Ervis Martinajt, duke këmbëngulur se i biri është vrarë.
Megjithatë, sipas pretendimeve të tij, këto informacione nuk janë marrë në konsideratë nga autoritetet hetimore, çka ka shtuar tensionin rreth një çështjeje që prej kohësh mbetet pa përgjigje zyrtare.
Ervis Martinaj rezulton i zhdukur prej verës së vitit 2022, ndërsa fati i tij vijon të mbetet ende mister. Ndaj Martinajt vijon një proces në Gjykatë, ku SPAK kërkon konfiskimin e 34 pasurive dhe personave të lidhur me të, me vlerë rreth 10 milionë euro, me akuzën se janë përfituar nga aktiviteti kriminal.
Lini një Përgjigje