TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet21 Maj 2026, 12:42

Tritol banesës në Lezhë, flasin fqinjët: Shpërthimi i fuqishëm, u shkulën themelet e shtëpisë

Shkruar nga Pamfleti

Tritol banesës në Lezhë, flasin fqinjët: Shpërthimi i

Një shpërthim i fuqishëm me lëndë plasëse ndodhi mëngjesin e sotëm në fshatin Rrilë të Lezhës, ku është dëmtuar rëndë një vilë trekatëshe në pronësi të shtetasit Tom Çungu.

Sipas të dhënave paraprake, autorët kanë hyrë brenda rrethimit të banesës dhe kanë montuar lëndën plasëse në derën e brendshme të shtëpisë. Shpërthimi ka qenë tepër i fortë, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Përveç dëmtimit të dyerve dhe dritareve, nga shpërthimi janë shembur pjesë të mureve të brendshme dhe është dëmtuar edhe çatia e banesës, ndërsa zhurma ka shkaktuar panik te banorët e zonës.

Një prej fqinjëve tregoi se shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa fillimisht menduan se bëhej fjalë për rrufe.

“Ishim në gjumë. U tronditëm nga zhurma. Dolëm jashtë. Na u duk si rrufe. Nuk pamë gjë. I them burrit; nuk është koha e keqe jashtë. Burri më thotë; se di ça ka ndodhur, në dorë të Zotit. Ishte tronditje. U dridh shtëpia, aq shumë i fuqishëm ishte”, tha ajo për "News 24".

Në momentin e shpërthimit në banesë nuk ndodhej askush. Sipas policisë, pronari i banesës, Tom Çungu, jeton mes Shqipërisë dhe Italisë prej më shumë se 20 vitesh.

Hetuesit dyshojnë se autorët janë afruar nga rrugë dytësore, pasi deri tani nga kontrolli i kamerave në aksin kryesor nuk janë konstatuar lëvizje të dyshimta. Ndërkohë, po verifikohen edhe pamjet filmike të bizneseve pranë superstradës për identifikimin e autorëve.

Sipas hetimeve paraprake, familja Çungu nuk rezulton të ketë pasur konflikte apo precedentë problematikë. Policia dhe Prokuroria e Lezhës vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Lini një Përgjigje