Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dënuar ish-kryetaren e komanduar të Bashkisë Tropojë, Zyra Islamaj, me 2 vite e 1 muaj burg për akuzën e korrupsionit pasiv. Megjithatë, dënimi do të konvertohet në 2 vite shërbim prove, me kusht që ajo të mos kryejë tjetër vepër penale gjatë kësaj periudhe.
Sipas burimeve, gjykata ka vendosur gjithashtu që Islamaj të mos ushtrojë funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.
Në të njëjtën çështje, GJKKO ka dënuar edhe ndërtuesin Rrok Gega me 6 muaj burg për korrupsion aktiv. Edhe ky dënim është pezulluar, duke u zëvendësuar me 1 vit shërbim prove.
Sipas SPAK, çështja lidhet me një procedurë tenderimi, ku Zyra Islamaj dyshohet se i kishte kërkuar ndërtuesit Rrok Gega ndërtimin e një ure pranë banesës së motrës së saj, një ndërhyrje që nuk ishte parashikuar në projektin fillestar.
Prokuroria e Posaçme pretendon se Islamaj kishte ndërhyrë personalisht pranë ndërtuesit dhe kishte angazhuar edhe teknikun e mirëmbajtjes së rrugëve në bashki për realizimin e punimeve.
Lini një Përgjigje