Pas ndalimit të flotiljes humanitare që synonte Gazën, autoritetet izraelite deportuan të gjithë aktivistët e huaj. Reagime ndërkombëtare shkaktuan pamjet e publikuara nga ministri Itamar Ben-Gvir, ndërsa Shqipëria kërkoi trajtim dinjitoz për aktivistët e ndaluar.
Izraeli ka deportuar të gjithë aktivistët e huaj që ndodheshin në bordin e flotiljes humanitare “Sumud”, e cila u ndalua nga Marina Izraelite teksa lundronte drejt Rripit të Gazës. Mes aktivistëve të deportuar ndodhej edhe aktivisti shqiptar Baki Goxhaj, pjesë e flotës ndërkombëtare që synonte të çonte ndihma humanitare drejt enklavës palestineze.
Lajmi vjen vetëm një ditë pas reagimeve të forta ndërkombëtare të shkaktuara nga publikimi i videove që tregonin trajtimin e aktivistëve gjatë ndalimit të tyre nga autoritetet izraelite.
Sipas autoriteteve izraelite, rreth 430 anëtarë të Flotiljes Globale “Sumud”, e përbërë nga afro 50 mjete lundruese, u ndaluan të hënën pranë Qipros dhe më pas u transferuan me forcë në Izrael. Aktivistët u mbajtën fillimisht në burgun Ketchiyot, në jug të vendit, ndërsa mbrojtja ligjore për ta u sigurua nga organizata izraelite e të drejtave të njeriut “Adalah”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme izraelite, Oren Marmorstein, deklaroi se “ata të gjithë janë deportuar”, pa dhënë më shumë detaje mbi procedurat e ndjekura apo nëse aktivistët dolën përpara gjykatës.
Ndërkohë, përfaqësuesi i organizatës “Adalah”, Moatasem Zeidan, tha për Agence France-Presse se, megjithëse fillimisht ishte planifikuar një procedurë gjyqësore për deportimin e tyre, në fund aktivistët nuk u paraqitën para një gjyqtari.
Sipas të njëjtit burim, aktivistët u transportuan drejt aeroportit Ramon, pranë qytetit të Eilatit në jug të Izraelit, prej nga u nisën drejt vendeve të tyre të origjinës. Aktivistët egjiptianë dhe jordanezë u kthyen përmes pikave kufitare të Tabës dhe Akabës.
Turqia njoftoi se kishte organizuar tre fluturime çarter nga aeroporti Ramon për riatdhesimin e shtetasve të saj dhe disa aktivistëve nga vende të tjera. Mediat turke raportuan se 78 nga rreth 430 aktivistët e flotës ishin shtetas turq.
Ndërkohë, 37 shtetas francezë u nisën drejt Stambollit, ku pritet të asistohen nga përfaqësuesit diplomatikë francezë për t’u kthyer më pas në Francë.
Reagime pati edhe nga Shqipëria. Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, dënoi publikisht trajtimin e aktivistëve të ndaluar, pas publikimit të pamjeve nga ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir.
Hoxha i cilësoi pamjet “tronditëse dhe të papranueshme”, duke theksuar se çdo person i ndaluar duhet të trajtohet me dinjitet dhe në respekt të plotë të të drejtave të njeriut, ligjit ndërkombëtar dhe ligjit humanitar.
“Pamjet e shpërndara nga ministri Itamar Ben-Gvir që tregojnë trajtimin poshtërues të aktivistëve të ndaluar të flotiljes janë tronditëse dhe të papranueshme. Të gjithë personat e ndaluar duhet të trajtohen me dinjitet dhe në respekt të plotë të të drejtave të njeriut, ligjit ndërkombëtar dhe ligjit humanitar”, deklaroi ministri shqiptar.
Ai bëri me dije gjithashtu se kishte udhëzuar Ambasadën Shqiptare në Tel Aviv që të mbajë kontakt të vazhdueshëm me autoritetet izraelite, me qëllim ofrimin e ndihmës konsullore për shtetasit shqiptarë të përfshirë në incident.
Ndalimi i flotiljes “Sumud” ka rikthyer tensionet ndërkombëtare rreth bllokadës së Gazës dhe trajtimit të aktivistëve humanitarë që tentojnë të hyjnë në enklavën palestineze. Organizatorët e flotës deklarojnë se misioni kishte karakter humanitar dhe synonte të tërhiqte vëmendjen ndërkombëtare mbi situatën në Gaza, ndërsa autoritetet izraelite argumentojnë se ndërhyrja u krye për arsye sigurie dhe për të zbatuar bllokadën detare ndaj territorit palestinez.
Lini një Përgjigje