Ish-zyrtari i lartë i Policisë së Shtetit, Shemsi Prençi, ka bërë deklarata të forta lidhur me fatin e Ervis Martinajt, duke e cilësuar zhdukjen e tij si “vrasje shtetërore”.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Prençi lidhi ngjarjen me deklaratat publike të bëra ndër vite nga kryeministri Edi Rama dhe drejtues të tjerë të lartë të shtetit.
Prençi tha se përmendja publike e Martinajt nga zyrtarë të lartë e ka kthyer atë në një objektiv të ekspozuar, ndërsa shtoi se zhdukja e tij mbetet ende pa përgjigje konkrete nga institucionet.
“Unë mendoj se vrasja e Martinajt është vrasje shtetërore. Kohë më parë Ervis Martinaj u kërcënua nga kryeministri Rama që ne ta dimë targën, makinën, se çfarë bën etj. Ka patur konflikt me biznesmenë dhe me familjen kryeministrore për lojërat e fatit. Dhe kur thotë kryeministri, kjo vrasje do të jetë e vështirë për t’u zbuluar nga shteti. Unë nuk po them se e ka vrarë Edi Rama, por nëse një personazhi të botës së krimit i përmendet emri publikisht, ai bëhet tabelë qitjeje. Pastaj më vonë kryeministri tha: ose gjejeni të gjallë dhe vëreni në pranga ose gjejeni të vdekur dhe shpalleni të humbur. Unë nuk pajtohem me këtë formë që kryeministri të merret me zhdukje njerëzish”, tha Prençi.
Ish-drejtuesi i Policisë kritikoi ashpër edhe institucionet ligjzbatuese për mungesën e rezultateve në hetim, pavarësisht deklaratave të vazhdueshme të qeverisë dhe ministrave të Brendshëm ndër vite.
“Pas zhdukjes së Ervis Martinajt u tha se brenda 100 ditëve ai do të gjendej. Kanë kaluar mbi 1200 ditë dhe nuk ka asnjë përgjigje. Kur erdhi ministër i Brendshëm Taulant Balla tha se shumë shpejt do të prononcoheshin publikisht sepse e dinin fatin e Martinajt. Kanë kaluar edhe tre ministra të tjerë dhe s’ka asgjë konkrete. Ka ndodhur ngjarja në Urën e Matit, ka ndodhur atentati te TEG ku u plagosën tre fëmijë dhe normalisht ata që kanë dorë në këto histori ndihen të shqetësuar. Policia i ka të evidentuar konfliktet dhe personat e përfshirë. Mundet që elementë të policisë ta dinë fatin e Ervis Martinajt. I ati ka qenë biznesmen dhe edhe Ervisi ka paguar taksa. Nëse shteti ka sekuestruar pasuritë dhe ka marrë taksat, atëherë duhet të japë edhe përgjigje për fatin e tij. Ngadalësimi i kthimit të pronave tregon se këtu ka dorë shteti”, deklaroi Prençi.
Lini një Përgjigje