Një organizatë kriminale me aktivitet në trafikun e drogës dhe pastrimin e parave u godit nga një operacion i përbashkët mes SPAK dhe autoriteteve italiane antimafia. Aksioni u zhvillua në Shqipëri, Itali dhe Spanjë, ndërsa hetimet përfshijnë disa persona të dyshuar për përfshirje në aktivitet kriminal ndërkombëtar.
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar miratoi 10 masa sigurie me kërkesë të SPAK. Paralelisht, autoritetet italiane lëshuan edhe 5 masa të tjera sigurie. Operacioni u shtri në Tiranë, Fier dhe Vlorë, ndërsa kontrolle dhe procedura u zhvilluan edhe në Barcella të Italisë dhe në Madrid të Spanjës.
Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço duke folur në emisionin “Ora e fundit” në Abcnews, tha se grupi i goditur nuk duhet konsideruar si pjesë e familjeve mafioze italiane, por si një organizatë kriminale e strukturuar që ka ndërtuar lidhje në Itali gjatë viteve.
“Jemi thjesht te një grup i strukturuar, nuk kemi të lidhur me familjet mafioze të Puglias”, u shpreh Karamuço gjatë një interviste televizive.
Sipas tij, hetimet janë kryer edhe nga pala shqiptare dhe një pjesë e personave të përfshirë kanë jetuar prej rreth dy dekadash në Itali, ku kanë krijuar lidhje me elementë të kriminalitetit lokal.
Karamuço tha se grupi kishte rol në linjat e shpërndarjes së drogës dhe në transferimin e të ardhurave kriminale drejt Shqipërisë, ku dyshohet se janë investuar përmes skemave të pastrimit të parave.
“E kanë parë më të lehtë, edhe për shkak të një kontrolli të dobët, që të pastrojnë paratë në Shqipëri”, deklaroi ai.
Ai shtoi se hetimet mbeten të hapura dhe se ka persona të tjerë të dyshuar që nuk janë arrestuar ende.
Në deklaratën e tij, eksperti përmendi edhe emrin e Igli Kamberit, për të cilin tha se nuk e lidh me ndonjë organizatë mafioze, por me persona të përfshirë në veprimtari kriminale për përfitime financiare.
“Këta personazhe dyshohen se janë pjesë e një aktiviteti që injekton para në ekonominë shqiptare”, tha Karamuço.
Lini një Përgjigje