Besimtarët muslimanë kremtojnë sot festën e Kurban Bajramit. Në Tiranë, besimtarët falën namazin përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Kreu i KMSH-së, tha se njeriu ëhstë krijesa më e lartë dhe meriton që jeta dhe prona e tij të mbrohet.
Bujar Spahiu tha se sot besimtarët sot luten për shëndet, paqe dhe mirësi. Ai tha se sot besimtarët kudo në Botë hapin zemrat e tyre, ndërsa e cilësoi këtë ditë si symbol të sakrificës dhe sinqeritetit.
“Përcjellim paqe dhe mirësi dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë çdonjeri kudo në Botë sipas rregullave kombëtare dhe ndërkombëtare”, tha Spahiu. Sipas tij, kjo festë na mëson të largohemi nga urrejtja dhe indiferenca.
“Kurban Bajrami është festa që na mëson të largohemi nga egoizmi, urrejtja, padrejtësia dhe indiferenca ndaj njëri-tjetrit. Në këtë ditë të shenjtë, Allahu na kujton në Kuranin Famëlartë: ‘O ju njerëz, ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni me njëri-tjetrin. Më i miri te Allahu është ai që është më i devotshëm’. Ky ajet është një mesazh i madh për të gjithë: të jetojmë me respekt dhe me dinjitet ndaj njëri-tjetrit”, tha ai.
Ndërsa e cilësoi Kurban Bajramin si një nga festat më të rëndësishme të besimit islam, Spahiu tha se kjo është festa e sakrificës, e bindjes ndaj Zotit, solidaritetit dhe dashurisë për njeriun.
“Besimtarë të gjuhëve, kulturave dhe kombeve bashkohen në një adhurim të përbashkët, duke dëshmuar se feja jonë ndërtohet mbi paqen, respektin dhe vlerat njerëzore universale. Kjo festë na fton të reflektojmë më shumë për njëri-tjetrin, të jemi më pranë familjeve, të moshuarve dhe njerëzve në nevojë, jetimëve dhe çdo zemër që ka nevojë për mbështetje e shpresë”, thekson ai.
Ai nënvizon edhe rëndësinë që paraqet festa në një kohë kur bota përballet me sfida dhe konflikte të shumta.
“Kurban është akt solidariteti, ndarjeje dhe kujdesi për tjetrin në një kohë kur bota përballet me sfida të shumta, konflikte, pasiguri dhe vështirësi sociale, mesazhi i Kurban Bajramit merr një rëndësi edhe më të madhe. Kemi nevojë më shumë se kurrë për mirëkuptim, dialog, respekt dhe bashkim mes njerëzve.
Shoqëria jonë ka nevojë për më shumë dashuri, drejtësi e shpresë. Shqipëria ka ruajtur harmoninë fetare dhe kjo është vlerë çmuar që duhet ta ruajmë e forcojmë çdo ditë. Uroj që festa të sjellë gëzim në familje, shëndet dhe mirësi për shoqërinë tonë”, tha ai.
Lini një Përgjigje