TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet26 Maj 2026, 20:33

Vendimi i Gjykatës së Lartë, Pacolli mesazh qeverisë: Ndalni agresionin policor, hiqni bllokadën e aeroportit

Shkruar nga Pamfleti
Vendimi i Gjykatës së Lartë, Pacolli mesazh qeverisë: Ndalni
Pacolli-Rama

Kompania e Behgjet Pacollit përshëndeti vendimin e Gjykatës së Lartë, duke deklaruar se pas gati një viti i rikthehen të drejtat mbi investimin prej më shumë se 90 milionë eurosh në Aeroportin e Vlorës.

Shoqëria “Mabco Constructions S.A.” ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Lartë që rrëzoi masat e mëparshme ndaj kompanisë në konfliktin për kontrollin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.

Përmes një deklarate zyrtare, kompania e lidhur me biznesmenin Behgjet Pacolli e cilësoi vendimin si një hap të rëndësishëm drejt rikthimit të ligjshmërisë, duke theksuar se prej afro një viti ishte privuar nga të drejtat themelore si aksioneri mazhoritar me 98% të kuotave në shoqërinë koncesionare “Vlora International Airport”.

Prej gati 1 viti, këto vendime kishin privuar shoqërinë tonë nga ushtrimi i të drejtave themelore të aksionarit mazhoritar; e drejta e votës, e drejta e informimit, e drejta e aksesit në kantierin e ndërtimit dhe e drejta e kontrollit mbi investimin e saj prej mbi 90 milionë euro. Kjo situatë ka qenë një tentativë sistematike për shpronësim de facto të investitorit kryesor të huaj të projektit, që i solli dëm jo vetëm Mabco-s, por edhe interesit publik dhe reputacionit të Republikës së Shqipërisë si destinacion për investime të huaja”, thuhet në reagimin e kompanisë.

Mabco deklaron se vendimi i Gjykatës së Lartë hap rrugën për rikthimin e normalitetit në projektin strategjik të aeroportit, por thekson se institucionet duhet të veprojnë menjëherë për zbatimin e tij.

Vendimi i Gjykatës së Lartë i hap rrugën rikthimit të ligjshmërisë, por nuk e zbaton atë vetvetiu”, thekson kompania, duke i bërë thirrje Ministrisë së Infrastrukturës, Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe Policisë së Shtetit që të garantojnë rikthimin e të drejtave të saj dhe aksesin në kantierin e Aeroportit të Vlorës.

Në deklaratë, Mabco akuzon administratorin aktual të “Vlora International Airport” dhe përfaqësues të lidhur me ortakun minoritar se kanë penguar ushtrimin e të drejtave të kompanisë dhe hyrjen e inxhinierëve, specialistëve dhe nënkontraktorëve në kantier.

Policia e Shtetit të mos vazhdojë të përdoret si instrument privat për përjashtimin e zotëruesit me 98% të kuotave nga kantieri i tij dhe të garantojë aksesin e lirë e të sigurt të Mabco-s, përfaqësuesve, inxhinierëve, specialistëve dhe nënkontraktorëve të saj në kantierin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës”, thuhet më tej në reagim.

Kompania e Behgjet Pacollit shprehet se, pavarësisht dëmeve ekonomike dhe reputacionale të shkaktuara gjatë kësaj periudhe, mbetet e angazhuar për përfundimin e projektit.

Mabco mbetet plotësisht e përkushtuar për vijimin e punimeve, certifikimin dhe përfundimin me sukses të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, në interes të shqiptarëve, investitorëve dhe të Republikës së Shqipërisë. Aeroporti i Vlorës mund dhe duhet të përfundojë me standardet ndërkombëtare të sigurisë dhe cilësisë për të cilat Mabco është e njohur globalisht”, deklaron kompania.

Në fund, Mabco falënderoi publikisht punonjësit dhe specialistët që kanë vijuar punën në projekt gjatë periudhës së konfliktit, duke theksuar se ata kanë ruajtur standardet profesionale pavarësisht presioneve me të cilat janë përballur.

pacolli aeroporti

Lini një Përgjigje