Gjykata e Tiranës ka hedhur poshtë padinë e Argita Berishës, të bijës së Sali Berishës kundër Pamfletit.
Vajza e “kampionit të lirisë së mediave”, siç e quan Sali Berisha veten sa herë nuk është në pushtet, ka paditur Pamfletin për një shkrim të vitit 2018, duke kërkuar një dëmshpërblim të kripur për ‘cënim nderi’. Kemi thënë që Argita ka përdorur pushtetin e babait të saj për t’u pasuruar… Mëkat i madh!
Një taktike që tashmë të fuqishmit e këtij vendi, politikanë të fuqishëm, zyrtarë të lartë, por edhe njerëz të kamur po ndjekin prej kohësh me mediat në vend.
Hapin padi në gjykatë, duke krijuar kështu një situatë mjaft të vështirë për çdo shtëpi mediatike, pasi përveç telasheve të kohës, procedurave të tmerrshme burokratike, shpesh bllokojnë edhe rrugët financiare, gjegjësisht llogaritë bankare, që media të ndryshme përdorin për të paguar gazetarët, teknikët e operatorët që punojnë çdo ditë për të informuar publikun.
Në asnjë vend normal nuk ndodh një situatë e tillë. Pasi sa herë dikush kontenston një shkrim, apo një kronikë televizive, ai ka të gjitha mundësitë për të dhënë versionin e tij në media, duke ballafaquar kështu opinionet, apo argumentet.
E kështu, është publiku ai që formëson mendimin e tij në bazë të përballjes apo ballafaqimit normal.
Në Shqipëri, kjo nuk ndodh kurrë, edhe pse janë të gjitha mundësitë, e mediat asnjëherë nuk e kanë ndaluar këtë rrugë.
‘Pamfleti’ është nga nga ato shtëpi mediatike që është e sulmuar në mënyrë permanente nga njerëzit e fuqishëm, pikërisht sepse është shumë kritik ndaj tyre.
E taktika e përdorur prej të pandëshkueshmëve nuk është asnjëherë ballafaqimi mbi ngjarjet a faktet që sjell shkrimi, por siç është bërë modë, përdoret një mënyrë që Kodi Civil e ka sanksionuar, por që është keqpërdorur shumë.
Të fuqishmit kërkojnë përgjithësisht gjoba të majme ndaj gazetarëve me pretendimin e “cënimit të imazhit”, “nderit” apo “reputacionit”.
Në vite, kjo taktikë ka funksionuar pasi gjyqtarë të ndryshëm e “pritnin shkurt”, duke u dhënë tak- fak të drejtë paditësve të fuqishëm.
Është për të ardhur keq se organizatat mediatike, duke nisur nga Unioni i Gazetarëve, Shoqata e Gazetarëve Profesionistë etj, pak bëjnë për të zbutur e për t’i dhënë fund kësaj praktike torturuese.
Kështu edhe Argita Berisha, ka tentuar të përdorë “cënimin e nderit” duke e paditur Pamfletin, por në fund Gjykata e Tiranës, në vendimin e saj të 8 qershorit ka rrëzuar padinë e vajzës së Sali Berishës.
‘Pamfleti’, edhe pse në vështirësi të shumta, nuk është trembur dhe nuk është tërhequr, edhe pse agresione si kjo e vajzës së doktorit i ka të përditshme.
Është e thjeshtë, pasi të fuqishmit e bëjnë këtë ngaqë ne jemi të hidhur me të pushtetshmit, duke i kritikuar, ironizuar, por edhe sulmuar e akuzuar, natyrisht me argumente, fakte e shpesh me letra zyrtare.
‘Pamfleti’ e ka nisur këtë rrugë pikërisht sepse janë lexuesit dhe ndjekësit e tij që e duan këtë gazetari, të pakompromis ndaj të gjithë të fuqishmëve e të pushtetshmëve.
E ne nuk do të tërhiqemi e nuk do të ndalemi asnjë moment. / Pamfleti
Lini një Përgjigje